
FIER-Avokati i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ledio Braho deklaroi para mediave se pas vendimit të Gjykatës së Fierit, sipas procedurave Ervin Salianji pritet të lirohet që ditën e sotme nga qelia. Në fjalën e tij, avokati përsëriti se procesi ishte i padrejtë dhe politik.
Avokati: Më në fund pati një element minimal drejtësie, për mendimin tim i gjithë procesi është i padrejtë. Ai ishte një dënim politik, por sot arritëm ta shkurtonim në më pak se dy muaj e gjysëm të dënimit të mbetur. Po procedurat janë që duhet të lirohet brenda ditë së sotme, pra lirim të menjëhershë. Zoti Salianji sqaroi se beteja e tij ka qenë interesi publik. Gjykata e Fierit pas rekomandimeve pozitive të IEVP Fier dhe Shërbimit të provës dhe qëndrimit pozitiv të Prokurorit në lidhje me kësen e depozituar nga Salianji, pranoi kërkesën dhe vendosi lirimin e tij të parakohshëm me kusht.
Gjykata e Fierit pas dakortësisë së prokurorit të çështjes vendosi lirinë me kusht për ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji, i cili ka ezauruar 2/3 e dënimit. Gjithashtu, shërbimi i provës dhe IEVP Fier kanë paraqitur raport pozitiv në Gjykatën e Fierit për Ervin Salianjin. Salianji ndodhej i izoluar në burgun e Fierit prej muajit tetor të vitit të kaluar. Më 26 shtator 2024, Gjykata e Apelit mori vendimin për dënimin me një vit burg të ish-deputetit demokrat për “kallëzim të rremë” për denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa./ZËRI