
TIRANË- Ish-presidenti i "Urdhri i Stomatologut", Nikoll Deda akuzohet zyrtarisht për "shpërdorim detyre". Ishte Prokuroria e Tiranës, institucioni që njoftoi sot mbylljen e hetimeve dhe ngritjen e akuzës për Dedën. Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën me dije se Deda lejoi punësimin pa kriter të familjarëve të tij, duke manipuluar vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar nga viti 2016. Po ashtu, kishte përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale, teksa gjithashtu administronte edhe buxhetin për Urdhrin në nivel qarku. Edhe pse ishte pezulluar nga detyra për shkak të denoncimeve të shumta, Deda sërish kishte marrë vendim për të blerë një godinë në vlerë 700.000 euro me sipërfaqe 350m2. Gjithashtu, kishte marrë edhe një kredie prej 250.000 eurosh me qëllim ‘blerje ambientesh’. Të gjitha këto veprime, sipas Prokurorisë, kishin krijuar një klimë ‘posedimi privat’ duke përqëndruar në dorën e Dedës dhe familjarëve të tij të gjithë pushtetin dhe fondet e "Urdhrit të Stomatologut".
Para mbylljes së hetimeve, prej disa javësh "Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë" kishte pasur disa përplasje. Fillimisht lajmëruan se hapësirat e tyre ishin të zabtuara dhe se kishin bërë kallëzim pranë organeve ligjzbatuese. Disa ditë më parë vijuan me denoncimet duke pretenduar se një nga anëtarët e "USSH" ishte dhunuar teksa kishte tentuar që të rifutej në ambientet e punës. Por më pas dolën pamjet e sulmit të supozuar. Në faqen zyrtare të USSH-së raportohej se Nikoll Deda, edhe pse i pezulluar kishte blerë edhe një godinë në emër të institucionit me vlerë prej 700.000 euro. Kështu ka nisur një përplasje mes dy administratave, të vjetrës që pretendon se persona të paautorizuar kanë zaptuar me forcë dhe në mënyrë të paligjshme zyrat e tyre dhe të resë që nga ana e saj pretendonte se punonjësit e mëparshëm janë shkarkuar. Këta të fundit ishin rikthyer në godinë për të "rimarrë" vendet e tyre të punës, duke krijuar edhe skenën ku pretendohet se ka ndodhur dhunimi.
Por u identifikuan si familjarë të Dedës.
1. Dr. Orjeta Musabelli (Sako) (doktoresha “e dhunuar”) - vajza e anetarit te Keshillit Kombetar, Dr. Spartak Sako
2. Aurel Alia (djali i anetarit te Keshillit Kombetar, Dr. Gjergj Alia)
3. Bledar Brati (nipi i anetarit te Keshillit Kombetar, Dr. K.M)
4. Xhuljana Mucenj (nuse e djalit te ish Presidentit Nikoll Deda)
5. Elona Alia (nuse e djalit tjeter te ish Presidentit Nikoll Deda)
6. Bardhe Brahimaj (kunata e ish Presidentit Nikoll Deda)
Përfundojnë hetimet, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq ish Presidentin e Urdhrit të Stomatologut për ‘Shpërdorim detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin N.D. i akuzuar për krimin ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.1630 të vitit 2024, provuan se shtetasi në fjalë në në cilësinë e Presidenti të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njërëzve pa kriter familjarët e tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016.
Nga hetimi, rezultoi se me veprimet/mosveprimet e tij shtetasi N.D. krijuan një “klimë posedimi privat” duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonale, qoftë për sa i përket administrimit të buxhetit të urdhrit të stomatologut në nivel qarku, qoftë përsa i përket pajisjes me licencë të stomatologeve për ushtrim individual profesioni. Në shkelje flagrante të vendimeve gjyqësore dhe parashikimeve ligjore, nëpërmjet strukturave të Urdhrit të Stomatologut, ai vijoi veprimtarinë edhe pse u pezullua nga detyra, duke marrë vendime të rëndësishme si blerjen e një godine në vlerë 700.000 euro me sipërfaqe 350m2 dhe marrjen e një kredie prej 250.000 euro me qëllim ‘blerje ambientesh’.
Me veprimet e tij shtetasi N.D. ka shkelur vetë qëllimin e ligjit nr.127/2014 i cili është të rregullojë marrëdhënien juridike dhe etiko-profesionale të stomatologëve, si dhe ka krijuar një klimë ‘posedimi privat’ duke përqendruar në duart e tij funksionet e këshillave rajonalë përsa i përket administrimit të buxhetit në nivel qarku apo të pajisjes me licencë të stomatologëve për ushtrim individual profesioni.
Pavarësisht se është marrë i pandehur dhe është aktualisht në proces gjyqësor i akuzuar për nenin 320 të Kodit Penal në një tjetër procedim, ka ndërmarrë veprime aktive në shpërdorim të detyrës për përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së. Sa më sipër, prokuroria vendosi që çështjen ta dërgojë në gjyq pasi akuza dhe fakti janë tërësisht të provuara për krimin e parashikuar nga neni 197 i Kodit Penal./ZËRI