
KORÇË- Një grua është plagosur me thikë në Korçë! Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme, rreth orës 10.00 të mëngjesit, në lagjen numër 4, e njohur edhe si "Trekëndëshi". E reja, e identifikuar me inicialet Manderina Çela është qëlluar me thikë nga ish partneri i saj. Ilir Çani mësohet se ka qenë duke kaluar në rrugë, kur ish partnerja e tij e ka ndaluar dhe i ka kërkuar të mos vazhdojë ta ndjekë më.
Por në atë moment, konflikti mes tyre ka agravuar dhe 41-vjeçari ka nxjerrë thikën duke e plagosur në mjekër ish-partneren. Menjëherë Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes, Ilia Cani, i cili fillimisht është larguar nga vendngjarja. Por nuk ka kaluar shumë dhe 41-vjeçari ka përfunduar në pranga. Aktualisht është shoqëruar në Komisariatin e Korçës, ku edhe po jep shpjegime për plagosjen. 41-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për përndjekjen e të plagosurës.
Por pse e përndiqte 41-vjeçari të plagosurën?
Autori i ngjarjes, Ilir Çami dhe e plagosura Manderina Çela kanë qenë në një marrëdhënie së bashku. Aktualisht janë të ndarë dhe të dy rezultojnë të martuar me partnerë të ndryshëm. Lidhjet me të tjerë kanë nxitur konflikte mes çiftit, duke sjellë edhe plagosjen e sotme.
Ngjarja ka ndodhur në sy të motrës së Manderina Çelës, Marjanës, e cila tregoi se autori e shtiu në tokë dhe e goditi me thikë.
Marjana Plaka: E pashë që nga spitali, motra po kalonte rrugës së spitalit dhe ai i doli përpara, e shtriu në tokë dhe e goditi me thikë. Ka patur shumë probleme më përpara, e ndiqte prej 2 vitesh, pasi motra i dha fund lidhjes. Motra e kishte denoncuar në policia, ajo u pajis me urdhër mbrojtje por vazhdonte përsëri ta përndiqte. Autori ishte në Greqi për 4 muaj, u kthye dhe filloi prapë ta ngacmonte. Ajo dilte për punën e saj, ai se linte rehat. Motra i thoshte mos më ndiq, se jam me burrë e fëmijë. Motra ka shtruar nipin këtu, ai e pa dhe e shtriu poshtë, ia futi thikën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:00, në lagjen nr. 4, shtetasi I. Ç., 41 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës thikë shtetasen M. Ç., e cila u dërgua për mjekim, në spital, dhe është jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar, shtetasi I. Ç.(i arrestuar dhe më parë për përndjekje të kësaj shtetaseje), është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit./ZËRI