
TIRANË- Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka bërë një denoncim në faqen zyrtare, duke zbuluar një përplasje që ka ndodhur në ambientet e këtij institucioni. Në postimin e bërë në faqen zyrtare, USSH akuzon Presidentin Almiro Gurakuqi duke thënë se ka nxjerrë në rrugë punonjësit dhe nuk i lejon që të shkojnë më në zyra.
Siç shihet dhe në këtë denoncim, si pasojë e përplasjes në zyra, ka mbetur e lënduar doktoresha Orjeta Musabelli, e cila është dërguar në spital për shkak të dëmtimeve serioze. Por nuk jepen detaje të tjera.
Urdhri i Stomatologut thekson se Policia dhe Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për rastin.
Njoftim i plotë:
Sot në datën 31 tetor 2024, administrata e Urdhrit të Stomatologut të Shqipërisë kërkoi me ngulm të rikthehej në vendin e punës, duke parë situatën kaotike të krijuar për shkak të bllokimit të institucionit për të ushtruar detyrën e për t’u shërbyer stomotologëve dhe studentëve. Njerëz të paautorizar të cilët kanë zaptuar zyrat, jo vetëm nuk e lejuan administratën të kthehej në vendet e punës, e madje ushtruan dhunë ndaj një prej pjesëtarëve të administratës së USSH. Si pasojë e dhunës, dr. Orjeta Musabelli, u shtrua në spital pas dëmtimeve serioze. Kujtojmë që zyrat e USSH janë zaptuar me dhunë që prej datës 1 tetor nga shtetasi Almiro Gurakuqi, i cili ka nxjerrë në rrugë punonjësit e adminstratës e si pasojë ka bllokuar edhe punën e institucionit. Ndërkohë, çështja është referuar nga Policia në Prokurorinë e Tiranës që tashmë ka nisur një hetim.
Disa javë më parë, Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë, po në një postim në Facebook, pretendonte se persona të paautorizuar kanë zaptuar me forcë dhe në mënyrë të paligjshme zyrat e tyre. Në postim, thuhet se Urdhri i Stomatologëve i është drejtuar organeve kompetente, por nuk sqaronin se çfarë kishte ndodhur./ZËRI