
TIRANË-Një aksion i 'Shqiponjave' në ndjekje të një personi të armatosur ka shkaktuar edhe përplasjen e tre automjetve. Dy të rinjtë nuk iu bindën urdhrit të Policisë, përplasën 3 automjete gjatë tentativës për t’u larguar, braktisën automjetin dhe hodhën në rrugë një armë zjarri. Konkretisht Policia i është vënë pas mjetit tip 'Audi Q8'në rrugën “Myslym Shyr”.
Skerdi Sina, shok i Aleksandër Sadikajt i vrarë në vitin 2022 u arrestua, ndërsa personi jetër në makinë arriti t’ia mbathte. 29-vjeçarut gjatë kontrollit fizik, iu gjet një krehër dhe municion.
Emri i Skerdi Sinës figuron edhe në një ngjarje në zonën e Astirit, në janar të këtij viti, teksa një e re u mbajt e mbyllur në apartament nga i dashuri dhe disa persona të tjerë
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 16:30, në zonën e “Vasil Shantos”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi një automjeti tip “Audi Q8”, në të cilin ndodheshin dy persona, pasi kishin dyshime të arsyeshme se personat në automjet mund të ishin të armatosur. Drejtuesi nuk iu bind urdhrit të Policisë, vijoi lëvizjen me shpejtësi, përplasi tre automjete dhe më pas, së bashku me pasagjerin, braktisi automjetin në rrugën “Moskat”. Gjatë largimit, dyshohet se këta shtetas hodhën në tokë një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme. Si rezultat i ndjekjes nga shërbimet e Policisë, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e DVP Tiranë i pasagjerit në automjet, S. S., 29 vjeç, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjetën një krehër dhe municion.
Po vijon hetimi për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së personit të arrestuar./ZËRI