Aktualitet

Zjarri në landfillin e Elbasanit, Prokuroria nis hetimet

Nuk përjashtohet edhe zjarrvënia e qëllimshme.

F.I
Zjarri në landfillin e Elbasanit, Prokuroria nis hetimet
PAMJE NGA VENDNGJARJA

ELBASAN- Policia e Elbasanit ka reaguar në lidhje me zjarrin masiv në landfillin e mbetjeve urbane në periferi. Sipas njoftimit bëhet e ditur se Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin mbi rrethanat e zjarrit, që kanë përfshirë landfillin e qytetit që nga dita e djeshme (1 korrik). Ndërkohë shërbimet e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse, po punojnë për neutralizimin e zjarrit.

“Në lidhje me zjarrin e përhapur në vendgrumbullimin e mbetjeve, në Elbasan, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të zjarrit, sqarimin e rrethanave dhe individualizimin e përgjegjësive mbi këtë rast. Ndërkaq, shërbimet e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse, po punojnë për neutralizimin e zjarrit”, njoftoi policia.

Vatra e zjarrit vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa shtëllunga të dendura tymi kanë pushtuar vendin, duke ndotur ajrin dhe duke vënë në rrezik banesat përreth. Teksa po punohet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, ka pretendime se flakët mund të jetë shkaktuar nga copa xhamash që kanë reflektuar për shkak të temperaturave të larta, por nuk përjashtohet edhe zjarrvënia e qëllimshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB