
TIRANË- Kompania telefonike One Albania, pas një vorbulle skandalesh që e kanë vendosur kompaninë në qendër të vëmendjes mediatike dhe të institucioneve ligjzbatuese, duket se ka nisur të marrë masa paraprake. Konkretisht ka nisur një proces të brendshëm reduktimi të stafit, që përfshin rreth 10% të punonjësve, shumica prej të cilëve profesionistë me eksperiencë të gjatë në këtë kompani.
Sipas burimeve për Ditar.al disa prej punonjësve kanë firmosur marrëveshjen për largim nga puna, ndërsa një pjesë tjetër, përfshirë drejtorë e përgjegjës departamentesh, po përballen me presione të vazhdueshme dhe lëvizje të qëllimshme për t’i detyruar të largohen. Por ky largim i punonjësve po mundohet të mbahet e fshehtë nga kompania “One Albania”.
Kompania shpesh herë është denoncuar nga qytetarët, të cilët prej kohësh shprehin kritika të forta në rrjete sociale. Klientët e ONE janë përballur me ndërprerje të shpeshta të shërbimit të internetit dhe telefonisë, tarifa të fshehura dhe ndryshime të paautorizuara në kontrata, mungesë transparence dhe vonesa në zgjidhjen e ankesave dhe sjellje arrogante nga shërbimi ndaj klientit.