
TIRANË-Kompania ONE është vendosur sërish në qendër të vëmendjes me një tjetër rast abuzimi ndaj abonentëve të saj. Dhjetëra klientë të ONE kanë denoncuar ndërprerjen e internetit në telefon prej më shumë se një muaji, edhe pse paguajnë për plane pa limit si Ultra150.
Abonentët thonë se nuk po gjejnë zgjidhje pasi, shërbimi ndaj klientit i kalon ankesat tek një “departament fantazëm” që raporton se gjithçka është në rregull. Me të njejtën situatë po përballen edhe klientët me numrin me kontratë tek kjo kompani, të cilët paguajnë një tarifë fikse prej 18 mijë lekësh në muaj dhe interneti në telefon nuk funksionon.
“Nëse mund ta postoni, jemi pafund klientë të One që kemi probleme me internetin në ONE (internetin e telefonit). Shërbimi ndaj klientit kalon ankesat dhe ai departamenti “fantazëm” informon që shërbimi është në rregull, por po përdor shërbimin. Kam plan pa limit Ultra150, por jam pa shërbim prej më shumë se një muaji. Të gjithë punonjësit e kompanisë ku punojmë kemi numër biznesi me One dhe jemi pa shërbim. Po ta shihni, edhe në foto 5G shfaqet, por nuk funksionon si shërbim”, thuhet në denoncimin për JOQ, bashkangjitur me foto.
Kompania ONE prej kohësh është denoncuar nga qytetarët për mosrespektim të paketave, sidomos të paketave të internetit./ZËRI