
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për Agron Qafën dhe Florenc Çekrezin. Agron Qafa u dënua me 8 vite burg dhe Florenc Çekrezi me 3 vite e 4 muaj burg në korrik të vitit 2024. Të dy u arrestuan gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, ku dëshmia e Nuredin Dumanit nxorri në pah përfshirjen e këtyre dy personazheve në disa ngjarje kriminale.
Agron Qafa, akuzohet për veprën penale “Vjedhje me dhunë”, për një ngjarje të ndodhur në shkurt të vitit 2013-të në qytetin e Durrësit. Ai ka vepruar së bashku me disa persona të tjerë, në formën e një grupi kriminal. Ndërsa Florenc Çekrezi akuzohet për “Shkatërrim prone me eksploziv” ndaj banesës së Talo Çelës në Elbasan dhe Mustafa Subashit në Durrës.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.01.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen penale të regjistruar me nr. 7/65 akti, datë 26.11.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehurve A.Q., F.Ç., kundër vendimit nr. 46, datë 19.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 46, datë 19.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Shpenzimet gjyqësore në apel, i ngarkohen të pandehurve ankues A.Q. dhe F.Ç,”- njofton GJKKO. /ZËRI