Aktualitet

"Persekutim politik, shkelje e të drejtave të njeriut dhe...", Ilir Meta kallëzon në SPAK drejtorin e Burgjeve, Klevis Qose

Sipas dokumentit, Meta e akuzon Qosen për shpërdorim detyre, si dhe për vepra të tjera penale që mund të dalin gjatë hetimit.

zh.ll
"Persekutim politik, shkelje e të drejtave të njeriut
ilir meta-klevis qose

TIRANË- Ish-Presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose. Sipas dokumentit, Meta e akuzon Qosen për shpërdorim detyre, si dhe për vepra të tjera penale që mund të dalin gjatë hetimit.

Në padi, Meta kërkon: 

Regjistrimin e procedimit penal;

Hetimin e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve;

Verifikimin e përgjegjësisë penale të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Klevis QOSE, pasi nga tërësia e veprimeve të tij ai ka konsumuar veprat penale:

-Shpërdorimi detyrës parashikuar nga neni 248 KP

-Kryerja e veprimeve arbitrare parashikuar nga neni 250 KP

-Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme parashikuar nga neni 251 KP

-Shkelja e barazisë së shtetasve parashikuar nga neni 253 KP

Në padinë e Metës theksohet se që prej ditës kur është futur ne qeli, është përdorur persekutimi politik ndaj tij dhe i janë shkelur dhe mohuar liritë dhe të drejtat të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Shqipërisë. 

“Autoritetet e këtij institucioni kanë përdorur mënyra nga më të ndryshmet për ndalimin e ushtrimit të aktiviteteve sportive, takimet me anëtarët e kryesisë së Partisë së Lirisë, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, eurodeputetëve, takime apo komunikime me mediat, si dhe ndalimin e përdorimit të çdo forme argëtimi. Pra ndaj politikanit, presidentit të Partisë së Lirisë, është përdorur persekutimi politik, por jo vetëm; atij i janë shkelur dhe mohuar liritë dhe të drejtat të cilat janë të garantuara në Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, gjithashtu edhe të drejtat e sanksionuara nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës”, thuhet ndër të tjera në padi.

Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

Poll

MOS HUMB