Aktualitet

Përplasen dy 'Jet Ski' në liqenin e Kukësit, dy të plagosur! Nis hetimi për një 29-vjeçar

Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Prizrenit.

F.I
Përplasen dy 'Jet Ski' në liqenin e Kukësit, dy të
FOTO ILUSTRUESE

KUKËS-Dy persona kanë mbetur të dëmtuar pas përplasjes së dy mjeteve lundruese Jet Ski në liqenin e Kukësit, ndërsa një 29-vjeçar është proceduar penalisht nga policia për “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”. Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Prizrenit.

Njoftimi i policisë: 

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Kukës proceduan penalisht shtetasin E. T., 29 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”.

Në liqenin e Kukësit, rreth orës 18:15, ky shtetas, duke drejtuar mjetin lundrues Jet Ski, ku ndodhej së bashku me shtetasin E. P., 46 vjeç, aksidentalisht është përplasur me mjetin lundrues Jet Ski që drejtohej nga shtetasi B. H., i cili po dilte në breg të liqenit për të ankoruar mjetin lundrues.

Si pasojë, kanë marrë dëmtime të lehta shtetasit E. T. dhe E. P., të cilët ndodhen në spitalin e Prizrenit, jashtë rrezikut për jetën.

Mjetet lundruese u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Poll

MOS HUMB