Aktualitet

Pëllumb Gjoka kërkon pavlefshmëri të përgjimeve nga “SkyECC”, Kushtetuesja shtyn vendimin

SPAK nga ana tjetër kërkon që Kushtetuesja ta rrëzoj ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme.

F.I
Pëllumb Gjoka kërkon pavlefshmëri të përgjimeve nga
Pëllumb Gjoka

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar sot nëse komunikimet e përftuara nga aplikacioni “SKY ECC” për llogari të hetimeve nga SPAK, duhen konsideruar të ligjshme ose jo. Padia ndaj Prokurorsë së Posaçme në Kushtetuese u dërgua nga Pëllumb Gjoka, i cili është arrestuar nga të dhënat e zbërthyera në aplikacionin e enkriptuar. Avokatët e këtij të fundit kërkojnë që mesazhet të mos merren për bazë, duke listuar edhe vendime të ngjashme nga vende të tjera. Nga ana tjetër, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkon që Kushtetuesja ta rrëzojë ankimin duke lënë në fuqi masat e dhëna nga GJKKO dhe apeli i GJKKO që i konsideron prova të ligjshme. Pasi ka dëgjuar të dyja palët, Kushtetuesja pritet që të dalë në një moment të dytë me një vendim për çështjen. 

Njoftimi:

Në datën 19.12.2024 Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën gjyqësore të çështjes me kërkues Pëllumb Gjoka dhe objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.

Shfuqizimi i shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.

Gjykata shqyrtoi ankimin kushtetues individual, kërkesat dhe aktet e tjera të paraqitura nga kërkuesi, prapësimet e subjekteve të interesuara dhe aktet e paraqitura prej tyre dhe pasi administroi të gjitha provat e paraqitura nga palët, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit. Vendimi do t’u komunikohet palëve sipas rregullave dhe afateve ligjore.

Materialet e ardhura nga Franca e Belgjika me qindra fashikuj në përmbajtje të të cilave ka komunikime të grupeve kriminale, janë përdorur nga SPAK për të kryer një sërë arrestimesh, duke pretenduar zbardhjen e dhjetëra ngjarjeve kriminale. Para disa javësh, Gjykata e Strasburgut e cilësoi të ligjshëm përgjimin nga aplikacioni "EncroChat", të cilin e kanë përdorur kryesisht persona të përfshirë në botën e krimit. Kjo gjykatë vendosi që komunikimet në Sky ECC të përdoren si prova në gjykata dhe prokurori. 

Nga korriku i vitit 2023, Pëllumb Gjoka ndodhet në paraburgim, i akuzuar për disa vepra të rënda penale. Ai u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ky i fundit u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin "Sky ECC", ndërsa bashkë me të në pranga përfnduan policë, prorkurorë dhe ish-prokurorë. Deri në marrjen e një vendimi nga GJKKO për dosjen, biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri, ish-efektivi Adrit Hasanbegaj, Edmond Preka (shofer i biznesmenit Gjoka) do të qëndrojnë në qeli, derisa të përfundojnë hetimet./ZËRI

Poll

MOS HUMB