
LEZHË- Policia ka zbardhur ekzekutimin e 67-vjeçarit Dodë Mamli, i cili u vra me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin. Efektivët kanë identifikuar dhe arrestuar 53-vjeçarin Dashnor Tota si autorin e kësaj ngjarje. Dodë Mamli u vra me armë zjarri teksa po punonte në pyll.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se shkak për këtë vrasje është bërë konflikti për tokën që Dodë Mamli po hapte në pyllin e fshatit Vilëz.
“Dyshohet se vrau me armë zjari, një 67-vjeçar, dje, në fshatin Vilëz, si rezultat i kontrolleve intensive nga Policia, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Operacioni për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi u zhvillua pa ndërprerë nga shërbimet operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e fshatit ku ndodhi ngjarja dhe në zonat përreth. Si rezultat, mesditën e sotme, është lokalizuar në fshatin Vilëz, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi: D. T., 53 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Në momentin e kapjes nga Policia, këtij shtetasi i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin D. M., për motive pronësie. Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të vrasjes. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.
Dodë Mamli ishte babai Enrik alias Elton dhe Tom Mamli, të cilët 9 vite më parë vranë kushëririn e tyre, Naim Tafën. Ngjarja ndodhi në shtator të vitit 2015, pasi vëllezërit Mamli kanë pasur një konflikt të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte gjithashtu i përfshirë në përplasje. Ndëtsa mbetën të plagosur aksidentalisht Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët u gjetën në zonën e stacionit të trenit./ZËRI