Aktualitet

Ekzekutimi i Dodë Mamlit! Viktima u qëllua 6 herë me pistoletë, 10 të shoqëruar

Ekspertiza mjeko-ligjore tregon se viktima ka marrë plumba në kokë dhe gjoks, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.

F.I
Ekzekutimi i Dodë Mamlit! Viktima u qëllua 6 herë me
PAMJE NGA VENDNGJARJA

KURBIN-Detaje të reja pritet të dalin në lidhje me vrasjen e 67-vjeçarit Dodë Mamli një ditë më parë në fshatin Vilëz të Kurbinit. Mbi 10 persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia, por ende nuk ka gjurmë nga autorët. Personat e pyetur janë kryesisht banor të zonës.

Ekspertiza mjeko-ligjore tregon se viktima ka marrë plumba në kokë dhe gjoks, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete. Familjarët kanë dëshmuar se viktima kishte folur me të vëllanë që ndodhet jashtë vendit rreth orës 16:00 të pasdites dhe mendohet që krimi të ketë ndodhur vetëm pak minuta më vonë. Grupi hetimor ka sekuestruar telefonin dhe mjetin e viktimës dhe po i shqyrton për ndonjë provë shtesë.

Paraprakisht dyshohet se shkak për vrasjen është një konflikt që ka nisur për çështje pronësie, por ky version nuk është ende i konfirmuar nga Policia e Kurbinit. Për ekzekutimin e të moshuarit nuk përjashtohet as pista e gjakmarrjes. 

Dy djemtë e 67-vjeçarit të vrarë, Enrik alias Elton dhe Tom Mamli, kanë vrarë në vitin 2015 kushëririn e tyre, Naim Tafën. Në shtator 2015, vëllezërit Mamli kanë pasur një konflikt të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të Trenit. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte gjithashtu i përfshirë në përplasje. Nga përplasja mbetën të plagosur aksidentalisht Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët u gjetën në zonën e stacionit të trenit./ZËRI

Poll

MOS HUMB