
TIRANË- Dy persona janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së Tiranës pasi akuzohen se gjatë 2 viteve, nëpërmjet kompanive fiktive guacke, kryen transferta bankare me vlerë 11 milionë euro. Mësohet se Arlinda Marku dhe dhe Darin Gezdari janë ndaluar nga autoritetet.
Mësohet se pas disa muajsh hetimesh dhe bashkëpunimi me Agjencinë e Inteligjencës Financiare u bë identifikimi i një grupi i cili gjatë periudhës kohore 2021-2022 kishin arritur të pastronin një sasi prej 11 milionë euro në territorin shqiptar dhe t`i transferonin në vijim këto para drejt Kanadasë. Paratë, e dyshuara të ardhura nga krimi, nga Qipro, Gjibraltari dhe Malta silleshin fillimisht në Shqipëri, më pas transferoheshin në Kanada.
Dy personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar “Cost to Cost” dhe që akuzohen për pastrimin e 11 milionë eurove në dy vite, posedojnë 10 kompani, kryesisht me shërbime konsulence financiare, ligjore, në fushën e shërbimeve online, informatikës, kibernetikës, teknologjisë dhe madje shit-blerje mjetesh dhe dhënie me qira. Nga 10 kompanitë 7 ishin regjistruar në emër të Gezdarit dhe 3 të Marku. Policia sqaron se transferimi i 11 milionë eurove është bërë brenda 2 viteve.
Kompanitë e Darin Gezdarit:
-Green Vieë Marketing
-Hyper Drive Service
-Information Business System IBS
-News Axis Solution
-New Moon Services
-Red Ridge Marketing
-Tech Ground Service

Kurse Arlinda Marku posedon 3 kompani në emër të saj, me objekt konsulencë biznesi dhe financiare, shit-blerje, dhënie me qira të makinave dhe mjeteve të tjera, marketing.
Kompanitë e Arlinda Marku:
-Multi Service Group
-International Business Consulting
-New Axis Solution

SKEMA: Si vepronin Gezdari dhe Marku
Policia e Tiranës njoftoi se dy të akuzuarit u ndaluan pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare duke përdorur kompani guaskë në shtetet e parajsave fiskale si Qipro, Giblartar, Maltë, etj. Këto para transferoheshin në shtetin shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyrë fiktive, dhe më pas transferoheshin në shtetin kanadez, i gjithë ky aktivitet i dyshuar kriminal është kryer në funksion të pastrimit të produktit të veprës penale.
Nga hetimi i zhvilluar dhe provat e grumbulluara prokuroria dyshon se në këtë skemë mashtrimi janë të përfshirë shtetas të tjerë shqiptarë e të huaj, të lidhur me këtë aktivitet kriminal, për të cilët po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të tyre, informoi sot prokuroria e Tiranës.
Njoftimi i Drejtorisë së Tatimeve:
“Ditën e enjte, datë 19.12.2024, Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve finalizoi një fazë të rëndësishme të hetimit disa mujor në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare (FIU), për identifikimin e një grupi personash, të cilët në harkun kohor 2021-2022 kishin arritur të pastronin një sasi prej 11 milionë euro në territorin shqiptar dhe t`i transferonin në vijim këto para drejt Kanadasë.
Në fillim të muajit dhjetor 2024 aktet e mësipërme hetimore u referuan nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale të “Fshehje të ardhurash” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 180 dhe 287 të Kodit Penal.
Në vijim, pas regjistrimit të procedimit penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe, marrjes së autorizimeve të nevojshme nga gjykata kompetente për kontrolle vendesh dhe sekuestrim provash materiale, më datë 19.12.2024 një skuadër e përbërë nga 6 (gjashtë) Oficer të Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor në bashkëpunim të ngushtë me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë ushtuar kontrolle në vende të ndryshme në Tiranë dhe kanë sekuestruar një mori provash materiale me interes për hetimin si njësi kompjuterike, telefona celularë, akte të shumta shkresore, etj.
Po ashtu, gjatë ditës së enjte, janë ndaluar edhe 2 (dy) shtetas shqiptarë mbi dyshimet se kanë kryer veprat penale të mësipërme dhe po punohet në drejtim të identifikimit të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Hetimet e deritanishme kanë provuar se disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale për transferimin e parave nëpërmjet transaksioneve bankare, duke përdorur kompani guackë në shtetet e parajsave fiskale, si Qipro, Gibraltar, Maltë etj, para të cilat transferoheshin në shtetin Shqiptar në shoqëri të krijuara në mënyre fiktive këtu, dhe më pas transferoheshin në shtetin Kanadez.
Hetimet vazhdojnë, por në këtë fazë të rëndësishme të hetimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor, gjen rastin të falenderojë për bashkëpunimin e mirë që ka pasur Prokurorinë e Rrethit Tiranë, Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, duke shpresuar se në vijim do thellohet ky bashkëpunim edhe për raste të tjera”.
Gezdari dhe Marku u arrestuan gjatë operacionit ‘Cost to cost’. Bashkë me arrestimin Gjykata e Tiranës kishte firmosur edhe vendimin për kontrollin e banesave të dy shtetasve. Hetimet disa mujore nisën nga referimet e Drejtorisë së Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Pastrimit të Parave pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Agjencisë së Inteligjencës Financiare./ZËRI