
DURRËS- Policia e Shtetit ka sekuestruar 14 pasuri të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe 4 personave të tjerë. Bëhet fjalë për Miklovan Xhafën, Agim Seferin, Arbër Denizin dhe Mateo Rustanin. Policia ka konfiskuar 12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare, në pronësi të 5 personave të lartpërmendur. Bllokimi i këtyre pasurive vjen pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që dënoi me 5 vite e 8 muaj burg ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka. Bëhet fjalë për 88% të aksioneve në emër të Lefter Kokës, në një kantinë në Rrashbull me vlerë rreth 245 milionë Lekë. Po ashtu, shtetit i kanë kaluar 3 njësi me sipërfaqe 297 m2 me vlerë 30 milionë Lekë. Në emër të 5 personave u bllokuan dhe 8 apartamente me sipërfaqe 789 m2 dhe vlerë 53 milionë Lekë.
Pjesë e konfiskimit gjithashtu është edhe një pasuri e paluajtshme truall me sipërfaqe 147 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 126 m2 me vlerë rreth 13 milionë Lekë.
NJOFTIMI I PLOTË:
Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor i koduar “Konfiskimi”. Konfiskohen 12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare, në pronësi të 5 shtetasve. Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e 12 pasurive të paluajtshme dhe të 5 shoqërive tregtare, në pronësi të shtetasve L. K., M. Xh., A. S., A. D. dhe M. R., konkretisht:
-88.19% e aksioneve në pronësi të shtetasit L. K., në një shoqëri tregtare në Rashbull, Durrës, me vlerë korensponduese 244 442 972 lekë;
-1 njësi me sipërfaqe 206 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 20 857 500 lekë;
-1 njësi me sipërfaqe 22.8 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 2 308 500 lekë;
-1 njësi me sipërfaqe 68 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 6 885 000 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 82 m2, me vlerë rreth 5 535 000 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 110 m2, me vlerë rreth 7 425 000 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 87 m2, me vlerë rreth 5 872 500 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 84 m2, me vlerë rreth 5 670 000 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 81 m2, me vlerë rreth 5 467 500 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 116 m2, me vlerë rreth 7 830 000 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 94 m2, me vlerë rreth 6 345 000 lekë;
-1 apartament me sipërfaqe 135 m2, me vlerë rreth 9 112 500 lekë;
-pasuri e paluajtshme truall me sipërfaqe 147 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 126 m2, me vlerë rreth 12 757 500 lekë.
Pasuritë e konfiskuara do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme.
Ish-ministri Lefter Koka ndodhet në burg për aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Në shtator të vitit të kaluar Gjykata e Posaçme shpalli vendimet për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, për Lefter Kokën dhe personat e tjerë të akuzuar. Ish-ministri i Mjedisit u dënua me 6.8 vite burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Lefter Koka është shpallur fajtor për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim./ZËRI