
TIRANË-GJKKO ka liruar nga 'arresti shtëpiak', Jamarbër Malltezin, dhëndrin e kreut të Partisë Demokraike, Sali Berisha. Gjykata e Posaçme vendosi që Malltezi të lirohej nga arresti shtëpiak, në kërkim të garancisë pasurore prej 3 milionë lekësh të reja.
Pas lirimit nga GJKKO prej arrestit shtëpiak, Jamarbër Malltezi foli për mediat jashtë ambienteve të SPAK. Malltezi u shpreh se u bë 20 muaj që u privua liria e tij me anë të një procesi politik.
“Nuk ka një shtet ligjor por një shtet që lufton armiqtë e PS njësoj si në ‘45. Vendimi sot vjen pas 20 muajsh privim lirie. Thjesht me një urdhër politik të Ramës. Në kongresin e PS, Rama urdhëroi SPAK të procedojë Sali Berishën. Të njëjtën gjë kërkoi një diplomate e korruptuar si Yuri Kim. Një proces politik që u ndot gjatë rrugës. Kemi 16 letra sapo Rama urdhëroi të veprojë, SPAK kërceu çfarë të duash. 16 kërkesa brenda muajit. Kemi të bëjmë me proces të ndotur, me urdhër politik, do të jem në të gjitha seancat dhe do të përballemi, ka kaq shumë gjëra qesharake sa nuk e keni idenë. Shuma besoj ishte 3 milionë lekë por do ta mësoj kur të marr dokumentin”,-u shpreh Malltezi.
Për lirimin e tij, një reagim erdhi edhe nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili u shpreh se dhëndri i tij është mbajtur 2 vite si i burgosur politik, edhe pse sipas tij nuk ka shkelur asnjë ligj.
“Jamarbër Malltezi u mbajt dy vite i burgosur politik, vetëm pse denoncoi aferën e djegësve. Në atë dosje, i vetmi njeri që ka shkelur ligjin është Edi Rama. Në një akt hakmarrjeje, Malltezi u mbajt dy vite në arrest shtëpie. Vetëm pse ishte ndër të parët që denoncoi publikisht aferën më korruptive të qeverisë Rama,”-u shpreh Berisha.
Ndërkohë, por sot, gjykata rrëzoi kërkesën gjyqtares Elsa Ulliri, kryesuese e treshes që do të gjykojë dosjen ‘Partizani’, e cila kërkoi tërheqjen me argumentin se ishte kushërirë e deputetes demokrate Andia Ulliri.
Dosja Partizani tashmë ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, të pandehur në dosjen Partizani janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja./ZËRI