
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje të caktuar nga GJKKO për dosjen e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”. Në dalje të ambjenteve nga Prokuroria e Posaçme, Berisha ka zbuluar edhe shënimin e radhës që u la oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Sali Berisha: Dedikasa që unë i lashë aty Altin Troplinit është kjo që vijon: Altin Troplini me mbrojtjen që u bën karteleve të drogës në Shqipëri, krimeve zgjedhore dhe krimeve të rënda mjedisore, këto dy të fundit fund e krye qeveritare, dëshmon se pas Ramaduros është de facto përgjegjësi më kryesor, delinkuenti numër 2 për kriminalitetin në Shqipëri. Kjo, u la në këtë prokurori.

Gjatë deklaratës për mediat nga ambientet e SPAK, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal sërish tek gjyqtarja Irena Gjoka, ku teksa akuzoi drejtësinë dhe pushtetin, iu referua asaj si simbol i degradimit të sistemit. Berishai tha se kjo gjyqtare ka mashtruar në formularë zyrtarë dhe ka amnistuar krime zgjedhore. Ai vijoi deklaratën duke e cilësuar sistemin gjyqësor si “piramidë turpi” që mbron pushtetin.
Sali Berisha: Edhe dy fjalë për gjykatësen llum njerëzor dhe llum i drejtësisë, turp njerëzor dhe turp i drejtësisë, gjykatësen me 5 mbiemra, Gjoka-Maneku-Stërmaneku. 18 muaj më parë është denoncuar si një mashtruese ordinere. Si një njeri që ishte shkarkuar me firmë të Sali Berishës dhe u thoshte avoketërve ma provoni se jam shkarkuar. Dhe kur avoketërit i nxorën vendimin, thoshte nuk jam Gjoka, por jam Maneku. Ky llum njerëzor dhe llum gjyqësor vazhdon punën si gjykatëse duke qenë në krye të piramidës së turpit të punonjësve të sistemit gjyqësor. Thuhet se para një javë, në qoftë se është e vërtetë, qenka hapur çështje gjyqësore për të. Tani, më thoni ju mua, një njeri që ka kryer krime të shumta, dhe pas kryerjes së këtyre krimeve, e dënuar në Greqi për vepra penale dhe civile, u deklaroi para dy muajve gazetarëve në Shqipëri që nuk kam qenë kurrë e dënuar. Ky njeri kishte firmosur prokura për avoketerët për ta mbrojtur për çështjet për të cilat ishte dënuar në Greqi. Ky person, i cili ka mashtruar publikisht në formularët që plotëson se nuk kam qenë e dënuar, vazhdon turpërisht të ulet në sallën e gjyqit sepse është fytyra e vërtetë e Altin Troplinit, fytyra e vërtetë e Ulsi Manjës dhe Edi Ramës. Këto janë pra ato që unë parashtrova në vizitën time të shkurtër.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me mos praninë në seancën e parë për “Partizanin” Berisha u shpreh se nuk kishte marrë një njoftim zyrtar. Por arsyeja nuk ishte vetëm kjo, pasi ai ndodhej atë ditë në një udhëtim jashtë shtetit.
Sali Berisha: Dy gjëra. Unë njoftim zyrtar, siç duhet, nuk kisha marrë, por nuk ishte ajo arsyeja. Arsyeja ishte se, unë isha në një udhëtim, siç mund ta keni marrë vesh. Por, e vërteta është se, njoftimi zyrtar nuk kishte ardhur. Unë iu kam dhënë një përgjigje, mos përsërisni pyetjet. Janë avoketërit e mi ata të cilët përcaktojnë vendimet. Unë gjer tani njoftim zyrtar nuk kam marrë, por unë nuk mund të them se nuk kam marrë, se ajo është dhënë në media që është shtyrë gjyqi për datën 21. Por, shkresë nuk kam marrë.
Dosja Partizani tashmë ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa seanca e parë u shty për shkak të mungesës së njoftimit të palëve. Në këtë çështje janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ortaku i tij Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina të cilët do të përballen me drejtësinë në lidhje me akuzat për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit dhe u përfaqësua nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Klodiana Gjyzari. Në sallë mungonte eshe biznesmeni Fatmir Bektashi. Seanca e radhës do të mbahet më 21 korrik, ndërsa ende nuk dihet nëse kreu i PD, do të paraqitet në GJKKO./ZËRI