
TIRANË- Komisioni i Medias kërkon shkarkimin e Këshillit Drejtues të RadioTelevizionit Shqiptar. Edhe sot, si rrallëherë, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë rënë dakord të nisin procedurat për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, bashkë me drejtuesin Leka Bungo. Në mbledhjen e sotme, Ina Zhupa, kryetare e Komisionit dhe Evis Kushi, nënkryetarja socialiste, renditën shkeljet që ka bërë Këshilli Drejtues ndër vite teksa thanë se procedura e paligjshme e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, ishte “derdhja e kupës” për këtë institucion.
Propozimi i Komisionit të Medias do t’i dërgohet kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila do t’a dërgojë në seancë plenare për miratim.
“Është gjetur me shkelje të rënda dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Unë me lejen tuaj dhe për shkak se këto janë me inciale, do kërkoja t’i lexonit në mënyrë individuale. Të jeni të bindur që të gjitha janë me shuma konkrete për shkelje që nga Këshilli Drejtues, orkestra sinfonike, te pagat, e me radhë të cilat janë shkelje që i kanë kushtuar edhe para buxhetit të shtetit. Duhet thënë që Këshilli nuk ka pasur asnjë reagim nga shkarkimet e padrejta që janë bërë nga puna që sot janë në gjyqe. Nëse këshilli do zbatonte kompetencat e veta, kjo gjë do të ishte shmangur. Nuk mund të fshihen që nga fakti që një drejtor “X” bëri një zgjedhje se ata kishin të drejtë ta shkarkonin. Është në shkelje të kuadrit ligjor për funksionimin e tij duke cenuar imazhin e transmetuesit publik. Bazuar në nenin 115 trë rregullores Kuvendit, ne ju ftojmë të vëmë në lëvizje këtë nen për shkarkim të anëtareve me ligj. Të miratojmë këtë raport për të vazhduar hapin e procedurës për të shkaktuar 9 anëtarët e ngelur të këshillit drejtues, kryetarin dhe 8 anëtarët. Të ndjekim procedurën ligjore dhe tu japim të drejtën për tu dëgjuar vetëm apo me avokat si të kenë dëshirë para këtij komisioni për ti dhënë të drejtën dhe në më pas për ti shqyrtuar,”-u shpreh ndër të tjera Ina Zhupa.
Të njëjtën qasje kishte edhe nënkryetarja e Komisionit, Evis Kushi, e cila përsëriti edhe njëherë shkeljet që kanë konstatuar në RTSH.
“Dua të prezantoj qëndrimin e deputetëve të maxhorancës që nuk bazohet vetëm në një ngjarje por qëndrim i konsoliduar, Bazohet në të gjitha argumentet faktet provat dhe të gjitha elementët që i kemi të parashtruara në raport. Nuk ka asnjë diskutim që këshilli drejtues në mënyrë të përsëritur ka shkelur ligjin dhe statutin, gjithë kuadrin ligjor. Në mënyrë të përsëritur. Ngjarja e fundit për zgjedhjen e drejtorit ishte pika e fundit që derdhi gotën pro shkelje dhe problematika, ka pasur në mënyrë të përsëritur dhe nuk është hera e parë që i vëmë në dukje por në çdo mbledhje që kemi zhvilluar për çështje për veprimtarinë e këtij institucioni. Ka pasur vërejtje nga të dyja krahët. Për sa i takon rastit më të fundit siç e përmendët, nuk janë respektuar hapat e procedurës, janë skualifikuar kandidatë që plotësonin kriteret. Nuk është respektua vota e fshehtë e të tjera. Është e dokumentuar që shumë prej anëtarëve të këtij këshilli janë në konflikt interesi. Nuk ka ndodhur në asnjë institucion që mos të prezantohet raporti. Këshilli drejtuesi i RTSH ka eliminuar dhe shmangur, të mos ushtrojë një detyrim me kushtetutë dhe ligj për të prezantuar raportin vjetor,”-u shpreh Kushi.
Teksa Komisioni zhvillohej në Kryesinë e Kuvendit, paralelisht, kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo i ka bërë një letër kandidates për drejtuese të televizionit publik, Aurora Polo që të tërhiqet nga gara. Në letrën që e ka bërë publike, Bungo ka listuar edhe njëherë arsyet se përse Polo nuk duhet të ishte pjesë e procesit të kandidimit.
"Zonja Zv. Drejtore, pas dorëheqjes së Drejtorit të Përgjithshëm, ju keni aplikuar për postin e Drejtorit të Përgjithshëm. E keni bërë këtë edhe pse jeni e vetëdijshme se, ashtu si në rastin e emërimit tuaj të parë, edhe për postin e Drejtorit të Përgjithshëm ekziston e njëjta pengesë ligjore: Kriteri i përcaktuar në Statut – Neni 10, Pika 1, Germa C. Këmbëngulja dhe etja e domosdoshme për t’u ulur në karrigen e Drejtorit të Përgjithshëm ju ka “errësuar vështrimin”, saqë nuk ju lejon të lexoni as Statutin. Këmbëngulja juaj e pashpjegueshme ka zvarritur procesin zgjedhor për zgjedhjen e Drejtorit të ri të institucionit. Nëse mendoni se mund ta realizoni pikësynimin tuaj ashtu si atëherë kur u ulët në karrigen e Zv. Drejtorit, gjykoj se gaboheni. Duke u nisur nga sa më sipër, do t’ju këshilloja të jepni dorëheqjen nga gara për emërimin në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së. Me respekt, Leka Bungo, Kryetar i Këshillit Drejtues Radio Televizioni Shqiptar (RTSH),”-shkruan Bungo ndër të tjera në letër.
Debati për drejtuesin e ri të RTSH nisi kur sapo ishin dorëzuar të gjithë emrat e kandidatëve. Thuajse 6 muaj nga largimi i Alfred Pezës nga detyra, në garë për të pasuar atë ishin: Harilla Koçi; Jetmir Shpuza; Enrik Mehmeti; Floriana Paskali; Eni Vasili; Ermal Hoxha; Aurora Polo; Kliton Rama; Flamur Buçрарај dhe Laureta Roshi. Por në një mbledhje, u kualifikuan për në raundin e dytë vetëm 2 persona; drejtuesja e komanduar Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza. Skualifikimi i bërë pa dëgjuar kandidatët shkaktoi reagime, ku si rrallë herë, PS dhe PD ishin të një mendimi; të dyja palët kërkuan zgjedhje të drejta në të kundërt do të ndërhynin.
Përveç politikës, edhe kryetari i Këshillit Drejtues, Leka Bungo e denoncoi vendimin për skualifikimin e kandidatëve dhe kërkoi shkrirjen e të gjithë Këshillit. Por po ashtu, ky proces po ndiqet me vëmendje edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Pak ditë më parë OSBE e BE bënë thirrje për transparencë dhe deklaruan se do të ndjekin me vëmendje seancën e sotme në Komisionin e Medias. Tani ka ndërhyrë Kuvendi i Shqipërisë! Komisioni i Medias i sugjeroi Këshillin Drejtues të RTSH të bëjë rivlerësimin e 10 kandidaturave për postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së./ZËRI