
TIRANË-I dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, Mario Përlleshi përmes avokatit mbrojtës dorëzoi kërkesën në Gjykatën e Apelit për zëvendësim mase sigurimi personal. Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e autorit të vrasjes së 14-vjeçarit, duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg.
NJOFTIMI:
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me “Informacionin dy mujor për të miturin në konflikt me ligjin, ne lidhje me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg” , ku përfaqësuesi ligjor i të miturit në konflikt me ligjin kërkoi “zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në rrethana cilësuese”, të parashikuar nga neni 79 shkronja “a” të Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr…. akti, datë 23.01.2025, ka vendosur:
-Rrëzimin e kërkesës së të miturit në konflikt me ligjin “…”, me objekt zëvendësim mase sigurimi personal.
-Vijueshmërinë e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj të miturit në konflikt me ligjin “…”.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga i mituri në konflikt me ligjin shtetasin “…, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zëvendësimin e masës së sigurimit nga “arrest në burg” në atë të “arrest në shtëpi”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 10.02.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali, vendosi:
– Miratimin e vendimit nr…. akti, datë 23.01.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI