
KRUJË-Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Fushë-Krujë më 31 janar 2025, ku një sasi tritoli shpërtheu në lokal-restorantin "Brazili i Vjetër" është arrestuar 41-vjeçari Mondi Topalli. Topalli, i cili fillimisht u akuzua si autor i ngjarjes, ka ndihmuar personin që vendosi tritolin të largohej nga vendngjarja. Autori i dyshuar është 40-vjeçari Mirgen Zalla, i cili ndodhet në kërkim. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia ka sekuestruar armë gjahu, armë sportive dhe municion luftarak.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes me datë 31.01.2025, ku u dëmtua me lëndë plasëse, fasada e një lokali në Fushë Krujë.
Si rezultat e hetimeve të thelluara identifikohet autori kryesor i vendosjes së lëndës eksplozive dhe vijon puna për kapjen e tij.
Po në vijim të punës, është kapur dhe vënë në pranga 41-vjeçari i shpallur në kërkim më parë për këtë ngjarje.
Nga hetimet rezultoi se 41 vjeçari është bashkëpunëtor i autorit kryesor të ngjarjes.
Sekuestrohen armë gjahu, armë sportive dhe municion luftarak.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur me datë 31.01.2025, ku u dëmtua me lëndë plasëse, fasada e një lokali në Fushë Krujë, kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të ngjarjes shtetasin M. Z., 40 vjeç si dhe kapjen dhe ndalimin e shtetasit M. T., 41 vjeç, i identifikuar si bashkëpunëtori i shtetasit M. Z.
Shtetasi M. Z., dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në lokalin e shtetasit B. T., dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e shtetasit M. T.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit M. Z., shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar një armë gjahu pa leje, një armë sportive dhe municion.
Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e shtetasit M. Z.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të datës 31 janar 2025. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, vetëm dëme materiale. Pronari nuk njihet si person problematik dhe deklaroi se nuk ka as probleme dhe as konflikte me njeri./ZËRI