
VLORË-Fredi Arshi alias Alfred Arshiaj është arrestuar nga Policia e Vlorës në kuadër të operacionit “Epilogo”. 60-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi rezultonte i dënuar nga autoritetet italiane me 11 vjet e 6 muaj burgim. Gjykata e Torinos e kishte dënuar më 2018 për veprën penale “Organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike”. Arishaj u kap në lagjen “10 Korriku”, Vlorë dhe janë njoftuar autoritetet italiane për procedurat e ekstradimit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar“Epilogo”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë.
I dënuar nga autoritetet italiane me 11 vjet e 6 muaj burgim, arrestohet për t’u ekstraduar në Itali, pjesëtari i një grupi kriminal me veprimtari në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i aksioneve intensive të Policisë, të kryera me qëllim kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë,
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Epilogo”.
Gjatë operacionit, u kap në lagjen “10 Korriku” dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Fredi Arshi alias Alfred Arshiaj, 60 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, me vendimin e datës 20.03.2018, e ka dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal Italian.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi./ZËRI