
PRISHTINË- Kanë nisur reagimet e para të partive politike në Kosovë. Numërimi i votave ka nisur dhe Lëvizja Vetëvendosje ka bërë një koment në rrjetet sociale duke u kërkuar vigjilencë gjatë procesit. Për momentin duket se janë fokusuar tek numërimi sesa shpallja e fitores.
“Të dashur vëzhgues dhe komisionerëve, ju jeni mbrojtësit e vullnetit popullor andaj vigjilencë dhe përkushtim për mbrojtjen e votës. Punë të mbarë!,” – thuhet në reagim duke shmangur komentet për exit poll.
Pas 12 orëve votime, mbyllen zgjedhjet në Kosovë. Tashmë ka nisur procesi i numërimit, ndërsa KQZ bën me dije se rezultatet e para zyrtare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë priten pas orës 21:00. "Exit poll-et" parashikojnë një fitore të LVV, por nuk krijon dot qeveri. Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë./ZËRI