
SHKODËR- Kanë kaluar 3 ditë nga masakra e Dobraçit, ku viktimë mbetën 3 persona, ndërsa hetimet vazhdojnë, më shumë detaje zbulohen. Para ngjarjes që tronditi Shkodrën pasditen e 30 tetorit, "Vizion Plus" ka zbuluar se në qytet ka ndodhur diçka...20-30 minuta para atentatit në Shkodër ka patur shkëputje të energjisë elektrike. Si pasojë e fikjes së energjisë elektrike, kamerat e sigurisë në zonë nuk e kanë kapur momentin e atentatit. Megjithatë ky detaj pritet që të konfirmohet nga Policia e Shkodrës.
Një tjetër detaj i pazbuluar nga ngjarja është fakti se ende nuk dihet se kush ishte shënjestra e atentatit. Sipas "OraNews", ka dyshime se shënjestër e sulmit me armë zjarri mund të ketë qenë Arlind Bushati.
"Një burim i tha “Ora News” se grupet rivale të familjes Lici kishin informacione që Arlindi Bushati ka ofruar ndihmën e tij kundrejt Ibrahim Licit gjatë kohës që ai ka qenë në arrati. Ky informacion po përpunohet nga hetuesit për të arritur në administrimin e provave mbi këto dyshime,"-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës ende nuk ka informacione mbi mjetin “Range Rover Sport”, e cila u përdor nga autorët ditën e ngjarjes. Për shkak se makina u dogj nga autorët pas atentatit, targat e mjetit janë të pakuptueshme e po ashtu edhe numri i shasisë. Në të tilla kushte, Policia po merr denoncimet që janë bërë më 12 drejtori vendore mbi kallëzimet për vjedhje të këtij lloj automjeti. Ky detaj ndoshta do të zbulojë më shumë për organizatorët e ngjarjes.
Pasditen e 30 tetorit, 4 persona kanë komplotuar dhe realizuar vrasjen e Hamza Licit, vëllait të Ibrahim Licit. I riu, vetëm 23 vjeç ndërroi vend menjëherë nga plumbat e marrë, ndërsa shoku i tij, Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. Djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës kishte marrë një plumb në kokë. Kjo masakër i kushtoi jetën edhe një kalimtareje të rastit, Flutura Bashës. Kjo e fundit po shkonte në shtëpi me të shoqin, kur motoçikleta e tyre u përplas nga "Benzi" i Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Tashmë ka nisur aksioni për kapjen e autorëve, por deri më tani pas ka mbetur vetëm makina e tyre e djegur/ZËRI