Aktualitet

Organizonin baste sportive, AMP jep masat e sigurisë për 6 efektivë policie, mes tyre një i RENEA-s

Të pestë efektivët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara dhe basteve sportive.

F.I
Organizonin baste sportive, AMP jep masat e sigurisë për 6
FOTO ILUSTRUESE

ELBASAN-Autoritetet kanë vendosur masa sigurie ndaj 5 oficerëve të Policisë së Shtetit, mes të cilëve edhe një efektiv i forcave speciale RENEA. Efektivët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara dhe basteve sportive. Tre prej tyre janë lënë në masën arrest shtëpie: nënkomisari Redon Tafilaku, inspektor Enea Kapllani dhe qytari Ilir Tafa. 

Ndërsa për tre të tjerët është vendosur masa ndalim për të dalë jashtë vendit: komisar Denis Sinani, nënkomisar Aldi Molla, inspektor Gëzim Beqiraj dhe efektivin e forcave RENEA. 

Gjithashtu u sekuestruan 7 telefona celularë, të cilët dyshohet të jenë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.

Njoftimi i AMP:

Në kuadër të operacionit “Last Bet” zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë), nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u ekzekutua vendimi penal i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar:

Masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;

Nënkomisar R.T., me detyrë Specialist për krimet, pranë Stacionit të Policisë Manëz, në Komisariatin e Policisë Durrës.

Inspektor E.K., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Shtetasi I.T., banues në Tiranë

Masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 233 dhe 234 i Kodit të Pr. Penale, ndaj;

Komisar D.S., me detyrë Shef i Seksionit për hetimin e krimeve në volum në Komisariatin e Policisë Devoll.

Nënkomisar A.M., me detyrë Përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Inspektor G.B., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Inspektor E.D., me detyrë Trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike, në njësinë speciale “Renea”.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2025, ku nga veprimet e thelluara hetimore, rezultoi se shtetasit e mësipërm duke shfrytëzuar atributet e funksionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e llotarive të palejuara / basteve sportive, duke konsumuar elementët e veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 197/25 dhe 248 i Kodit Penal.

Në funksion të veprimeve proceduriale u sekuestruan 7 telefona celularë, të cilët dyshohet të jenë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.

Poll

MOS HUMB