
LEZHË- Elvis Ndreca është vendosur në pranga pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar "Revanshi". 28-vjeçari është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Shtetit. Ndreca, kushëriri i deputetit të PS në Lezhë, doli në përgjimet e SKY ECC, në dosjen "Revanshi" të SPAK dhe akuzohet për veprën penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” ndaj Durim Bamit.
NJOFTIMI I PLOTË:
DVP Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “ëanted”. Kapet një 28-vjeçar i shpallur në kërkim, i akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posacme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “ëanted”, gjatë të cilit u lokalizua dhe u kap shtetasi: E. N., 28 vjeç, banues në Lezhë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhr grupi i strukturuar kriminal.” Shtetasi E. N. iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Më 31 Janar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe ka nisur komunikimin e akuzave për anëtarët e 7 grupeve kriminale, që u goditën në kuadër të operacionit “Revanshi”. Në kuadër të këtij operacioni të ndërmarrë në maj 2024 u krye fillimisht arrestimi i 20 personave, 14 prej të cilëve në Shqipëri, dhe 6 jashtë vendit, përkatësisht 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë e 2 në Belgjikë./ZËRI