Aktualitet

Rama për gjyqtarët e GJKKO, KLGJ: Përpjekje për të cenuar pavarësinë e gjyqësorit

Duke kujtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, KLGJ kujtoi se rruga e vetme për të ndjekur ankesat është në shkallët e gjyqësorit.

k.m.
kRama për gjyqtarët e GJKKO, KLGJ: Përpjekje për të
Foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me deklaratat që ka bërë kryeministri Edi Rama ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të dosjes së arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Komentet e kreut të qeverisë kanë sjellë edhe reagimin e KLGJ-së, të cilët kërkuan që të mos bëheshin deklarata të tilla nga ‘njerëz të veshur me pushtet’ apo dhe media. Duke kujtuar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, KLGJ kujtoi se rruga e vetme për të ndjekur ankesat është në shkallët e gjyqësorit.

Deklaratë për shtyp:

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me deklaratat e bëra nga persona të veshur me pushtet, ekzekutiv apo politik si edhe media të caktuara, të cilat prekin figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve pranë gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar. KLGJ mban qëndrimin se çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë e gjyqësorit, nëpërmjet trysnisë apo presionit të çfarëdo lloji, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Këshilli në përmbushje të angazhimeve të tij ligjore, ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin trysninë në formën e deklaratave, citimeve apo aludimeve që cënojnë gjyqtarët për shkak të ushtrimit të funksionit.

Në një shtet të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit është një ndër shtyllat themelore për garantimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjyqtarët duhet të jenë të lirë nga çdo lloj forme që ndërhyn në vendimmarrje, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Këshilli thekson se në një shtet që është duke përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE, mënyra e vetme e kundërshtimit të një vendimmarrjeje gjyqësore duhet të jetë përmes ushtrimit të mjeteve ligjore, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB