
TIRANË- Mjeku Dritan Todhe që kuroi Mario Përlleshin autorin e vrasjes së Martin Canit ka reaguar për herë të parë pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi Policinë e Shtetit se mjeku po mbante “peng” epikrizën. Mjeku përgënjeshtroi lajmin e publikuar në media, ku tha se akuzat ndaj tij nuk janë të vërteta, pasi ai i ka dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme brenda 30 minutash. Ai i bëri thirrje Drejtorisë së Burgjeve të publikojë një deklaratë dhe të kundërshtoj lajmet e vërteta që po qarkullojnë për të.
“Përshëndetje unë jam doktor Dritan Todhe, jam mjeku që jam lakuar në rrjetet sociale padrejtësisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si mjeku që kundërshton vendimet e shtetit shqiptar apo të Drejtorisë së Burgjeve në mënyrë të padrejtë. Ju garantoj që gjithçka është një shpifje, gjithçka është një farsë. Nuk e di për çfarë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka përhapur këtë lajm të rremë, ndërkohë që ne kemi bashkëpunim shumë korrekt me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe me drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe me Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke trajtuar pacient të ndaluar apo të burgosur, për një arsye ose për një tjetër. Takimi me të cilët ka qenë historikisht nëpër spitale dhe vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite. Por rasti konkret në fjalë, kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me organet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, me organët e Sigurisë së Tiranës, të cilët i përshëndes. Ata i kemi furnizuar me të gjithë informacionin e duhur që na kanë kërkuar. Konkretisht që prej ditës së premte, më datë 22, edhe pse pushim, janë ngritur organet tona dhe e kanë ndihmuar dhe e kanë Drejtorinë e Policisë me ato që i duhej, gjithë informacioni për rastin. Gjithashtu, vetëm mbrëmë në darkë kemi marrë informacion se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kërkon një epikrizë, e cila sot në orën 09:00 gjatë mbledhjes u vendos të jepej brenda 30 minuta. Nuk kishte asnjë rezistencë nga ana jonë, kjo është ‘nonsens’, nuk ka kuptim që ne të pengojmë autoritetet, për diçka që e ka vendosur gjykata. Është një budallallëk kjo që po dëgjojmë në media, nëpër rrjete sociale. Dhe konkretisht në orën 10 të mëngjesit sot, organet kanë pasur në duart e tyre, të gjithë informacionin që iu duhej. Nuk e kuptoj nga ka dalë kjo furi mediatike, është ‘nonsens’. Mendoj që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të dalë dhe të kundërshtoj lajmin që është publikuar për mediat dhe rrjetet sociale. Faleminderit”, tha mjeku.
Sot në një spital privat, ku edhe po kurohej i mituri ka shkuar një komision i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të 14-vjeçarit. Kjo pasi mjeku Todhe akuzohej se nuk po jepte analizën e gjendjes së tij shëndetësore. Për këtë zhvillim, Komisioni i drejtorisë së Burgjeve ka njoftuar Policinë e Shtetit që pritet të marrë masa për mjekun. Ndërsa në pas Mario Përlleshi u dërgua në institucionin e të miturve në Kavajë, ku edhe do të presë përfundimin e hetimeve për vrasjen e bashkëmoshtararit të tij. Gjithashtu sot, në Policinë e Tiranës është vetëdorëzuar edhe Kledion Bejkaj, i cili dyshohet se ka qenë gjithashtu i pranishëm në vendin e ngjarjes.
Të hënën e 18 nëntorit, adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë. Që nga dita e ngjarjes deri më sot, i mituri ishte në spital, por sot është nisur për në Kavajë, në institucionin e vuajtjes së dënimit për të miturit. /ZËRI