
TIRANË- Dritan Todhe është mjeku kirurg/ortoped, i cili po mban "peng" epikrizën për 14-vjeçarin Mario Përlleshi. Sot në një spital privat, ku edhe po kurohet i mituri ka shkuar një komision i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për të vlerësuar gjendjen shëndetësore të 14-vjeçarit. Kjo pasi mjeku Todhe nuk jep analizën e gjendjes së tij shëndetësore. Për këtë zhvillim, Komisioni i drejtorisë së Burgjeve ka njoftuar Policinë e Shtetit që pritet të marrëq masa për mjekun. Ndërkohë, po i njëjti komision do të vendosë për gjendjen e të miturit, nëse duhet dërguar apo jo në institut të të miturve në Kavajë apo të shtrohet në spitalin e burgjeve për të mitur.

Por kush është mjeku që mban "peng" epikrizën?
Dritan Todhe punon prej më shumë se 20 vitesh si kirurg ortoped. Aktualisht, ai punon në një spital privat në Tiranë. E po ashtu, doktori është bashkëpunëtor edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit, ku ka dhënë disa herë Kurse të Mjekësisë Sportive.

“Jam Dritan Todhe, Kirurg ortoped prej 20 vjetësh. Merrem me Mjekësinë Sportive, konkretisht me kirurgjinë e gjurit dhe të shpatullës prej mbi 10-15 vjetësh. Mundohem të jap kontributin tim modest edhe në bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Futbollit, sidomos në vitet e fundit ku ka spikatur organizimi i kurseve të Mjekësisë Sportive dhe trajnerëve të UEFA PRO, UEFA A dhe UEFA B, të cilët japin kontributin e tyre në kualifikimin gjithmonë e më të mirë të stafeve tona mjekësore dhe jo mjekësore, sportive drejt përmirësimit të cilësive të sportit dhe kualiteteve mjekësore që ne kemi. Unë merrem kryesisht me kirurgjinë e meniskut, ligamenteve, kërceve të gjurit, traumat sportive dhe jo sportive, dëmtimet e supit, daljet e tyre nga vendi, të gjitha patologjitë që lidhen me sportin. Sigurisht edhe me patologjitë e dëmtimeve muskulare dhe jo muskulare të cilat ndikojnë dhe janë të spikatura sot në temat e Mjekësisë Sportive dhe kualifikimet e mjekëve dhe fizioterapistëve sportive,”-kjo ka qenë fjala e tij në një nga seminaret për FSHF-në.

Po njëkohësisht është edhe pronari i një biznesi privat ortopedie me fitime qindra miliona lekë. Bashkëshortja e tij, Xhilda Pinci, e cila ka konkurruar në vitin 2017 për të qenë pjesë e institucioneve të Vettingut, që do të bënin rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Pas kryerjes së procedurës nga ana e Avokatit të Popullit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) publikoi listën e personave që nuk plotësonin kushtet.
Në bazë të dokumentacionit dhe informacionit të verifikuar nga institucionet zyrtare, ONM skualifikoi Xhilda Pincin pasi nuk justifikonte dot pasurinë. Aktualisht, bashkëshortja e mjekut, Xhilda Pinci rezulton të jetë pjesë e stafit të Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, si këshilltare./ZËRI