
TIRANË- "Drejtësi për Martinin!,"-kjo është e vetmja gjë që kërkojnë familjarët e 14-vjeçarit të ndjerë, i cili u vra brenda ambienteve të shkollës "Fan Noli" nga një bashkëmoshatar. Por duket se hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes kanë hasur në disa probleme. Së pari, ende nuk është sqaruar sesa adoleshentë kanë qenë të përfshirë në përplasjen në ambientetet pranë shkollës. Edhe pse i plagosuri, Luis Meçe përmend emra dhe pretendon se është plagosur nga dy thikë të ndryshme, ende nuk ka një sqarim.
Madje i mituri kërkon që t'i bëhet ekspertiza mjeko-ligjore për të provuar pretendimet e tij. Mbrëmjen e djeshme, gazetari Eni Ferhati, gjatë fjalës së tij në emisionin 'Opinion' bëri me dije se në fakt i mituri që përmend Meçe është dërguar në Polici, por nuk ka detaje të tjera.
"Në vendin e ngjarje kanë qenë 7 persona. Pretendohet se Martini ka qenë Luisin dhe 3 të tjerë. Kledion Bekaj është çuar në Polici nga i ati i tij. është djali i një zyrtari shumë serioz. Policia duhet të kishte dhënë një informacion shterues për këtë informacion,"-tha gazetari.
Po ashtu, gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin 'Open' në News24 se shoku i autorit të dyshuar të ngjarjes është djali i një hetuesi të SPAK. Sipas saj, deri tani grupi hetimor ka dalë në përfundimin se autor i ngjarjes ka qenë vetëm një person, ndërsa akt-ekspertimi do të tregojë të vërtetën.
"Çdo prind duhet t’i bashkohet protestës. Pas vrasjes së Martin Canit, po mbahen nën vëzhgim ambientet e jashtme të shkollave. Fatkeqësisht, që të bëhej kjo, duhet të ndërronte jetë një 14-vjeçar. Mendoj se reagimi është me vonesë. Ka çdo ditë konflikte në shkolla, situata është alarmante. Protesta për vrasjen e adoleshentit nuk duhet të jetë me ngjyrime politike. Nëse një mësues del te protesta, të nesërmen nuk është më në punë. Mësuesit frikësohen të dalin në protestë. Në ngjarje kanë qenë 5 persona. Martin Cani, ka qenë me Luizin dhe me djalin e tezes. Vrasësi i dyshuar ka qenë me një mikun e tij, që nuk është ndaluar nga policia, pasi rezulton se nuk është përfshirë në ngjarje. Janë përleshur dy grupet e fëmijëve. Shoku i autorit të dyshuar rezulton se është djali i një hetuesi të BKH, pranë Prokurorisë së Posaçme. Grupi i hetimit ka dalë në përfundimin se nuk ka pasur autor të dytë në ngjarje. Por çështja po hetohet. Me akt-ekspertimin do arrihet në përfundimin sesa thika janë përdorur në ngjarje. Akt-ekspertimi zbardh ngjarjen", tha Lala.
Ndërkohë që edhe me Mario Përlleshin, i cili mendohet si autori i vrasjes së Martin Canit, ka gjithashtu paqartësi. Edhe i mituri ka plagë në kurrizin e dorës, gjithashtu e shkaktuar nga një thikë, por nuk është e sqaruar nëse e ka plagosur ndonjë person tjetër, apo është lënduar vetë gjatë përdorimit të mjetit prerës. Aktualisht 14-vjeçari ndodhet ende në spital dhe po haset rezistencë me transferimin e tij në institucionin për të mitur në Kavajë. Kjo për shkak se mjeku që është marrë me ndjekjen e tij, nuk pranon që të dorëzojë "epikrizën" e pacientit.
*Epikriza është analizë kritike e një sëmundjeje pas përfundimit të saj
Sot në ambientet e spitalit privat ka shkuar një komision i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Por sërish mjeku, i identifikuar si Dritan Todhe ka zvarritur procesin dhe nuk dorëzon epikrizën për 14-vjeçarin. Kështu duhet që Komisioni me pesë persona duhet të provojë çfarë gjendje shëndetësore ka i mituri, për të vendosur nëse mund të dërgohet spitalin e burgjeve në një seksion për të miturit, apo në institutin e të miturve në Kavajë. Paralelisht, anëtarët e komisionit po komunikojnë edhe me prokuroren e çështjes, Alma Felaj dhe me Policinë e Shtetit, duke njoftuar se mjeku në fjalë po shkel ligjin dhe nuk po bashkëpunon me organet ligjzbatuese.
Teksa kalvari i hetimeve vijon, shoqëria civile ka paralajmëruar se do të përshkallëzojë protestën nëse nuk plotësohen kërkesat për përmirësimin e sigurisë së fëmijëve në shkolla dhe dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit, që nga nisja e protestave nuk ka dalë me asnjë reagim. Në këto kushte, shoqëria civile ka paralajmëruar se nëse nuk merren parasysh kërkesat që kanë parashtruar, nesër do të bojkotohet mësimi dhe do të nisin protestat në dyert e shkollave në Tiranë dhe nëpër qytete.
-
-
PREKËSE! Babai i Martin Canit shkon në protestën për të birin
25 Nëntor, 18:33 -
Mbrëmjen e djeshme u zhvillua edhe protesta e dytë, ku pjesëmarrës ishin babai dhe gjyshi i Martin Canit. I ati i të ndjerit nuk mbajti asnjë fjalim, por gjyshi po. Ai kërkoi drejtësi për nipin e humbur./ZËRI