
LEZHË-Një tjetër anije me 15 emigrantë, të cilëve u është refuzuar azili në Itali, ka mbërritur në portin e Shëngjinit dhe pritet të shoqërohen në Gjadër. Aktualisht në kampin e Gjadrit janë rreth 30 emigrantë të dëbuar.
Ky është kontigjenti i katërt i emigrantëve që mbërrijnë në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së dakordësuar mes autoriteteve shqiptare dhe qeverisë italiane, në zbatim të dekretit të ri të qeverisë së Giorgia Meloni për zhvendosjen e përkohshme të emigrantëve të refuzuar në territorin shqiptar.
Në muajt e fundit, azilkërkuesit ishin transferuar tre herë në Gjadër, por të gjithë u kthyen më pas në Itali pas vendimit refuzues të gjykatave të këtij shteti. Pas dërgimit të çështjes në Strasburg mbi vendet e origjinës së emigrantëve, qeveria Meloni nxori një dekret të ri për zbatimin e marrëveshjes me Shqipërinë, duke përcaktuar se në Gjadër do të dërgohen emigrantët që iu është refuzuar qëndrimi dhe kanë një urdhër dëbimi./ZËRI