
ITALI-Është zbuluar identiteti i 25-vjeçarit shqiptar, i cili u vra me armë zjarri nga një biznesmen italian, pasi tentoi t’i vidhte banesën në bashkëpunim me dy bashkatdhetarë të tjerë. Viktima është Rivaldo Rusi, i cili dyshohet se ishte pjesë e një grupi prej tre shqiptarësh që po përpiqeshin të grabisnin vilën.
Krimin e rrëfeu vetë biznesmeni italian, Aurelio Valiante, i cili pranoi edhe autorësinë. Sipas dëshmisë së vetë biznesmenit, ai ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar drejt tyre. Një nga plumbat ka lënë të vdekur në vend Rivaldo Rusin, ndërsa tjetri ka plagosur rëndë bashkëkombësin e tij. Pas marrjes në pyetje nga autoritetet italiane, Valiante ka pranuar edhe se ka fshehur trupin e pajetë të viktimës.
Aurelio Valiante dyshohet se e transportoi trupin e shqiptarit me një fuçi vere, të vendosur në makinë. Disa kilometra larg shtëpisë së tij, në një zonë të izoluar në fshatin San Severino di Centola, ai hapi një gropë dhe varrosi trupin e 26-vjeçarit. Dhe pikërisht në vendin e treguar nga biznesmeni, policia gjeti trupin. Në ato momente në vendngjarje ndodheshin gruaja dhe vjehrra e viktimës.
“Ai bëri një gabim. Por nuk duhej të kishte vdekur kështu. U varros si kafshë. Na la një fëmijë pa baba.”- u shprehën ato.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, kur një grup hajdutësh shqiptarë hynë me forcë në vilën e sipërmarrësit. Biznesmeni 58-vjeçar ka qëlluar me pushkë gjuetie, duke vrarë në vend Rivaldo Rusin dhe duke plagosur rëndë një tjetër grabitës, ndërsa i treti u arratis. Biznesmeni tani do të duhet të përgjigjet për vrasje, fshehje të një kufome dhe lëndime të rënda trupore./ZËRI