Aktualitet

GJKKO merr vendimin, lihet në qeli/ Në gjyq Meta "zbulon" arsyen e divorcit me Kryemadhin: Shkeli rëndë besimin tim!

Meta thotë se lajmin e kartës që Kryemadhi kishte marrë nga Adrian Shatku, e ka zbuluar pas kontrolleve të SPAK.

k.m.
GJKKO merr vendimin, lihet në qeli/ Në gjyq Meta "zbulon"
Ilir Meta

TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë sërish sot para trupës gjykuese për të kërkuar lirinë e tij. Në seancën e sotme, presidenti i PL-së, ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, duke parashtruar para GJKKO një sërë argumentesh që sipas tij, e bëjnë mbajtjen në qeli në shkelje të ligjit. Sipas Metës, pas më shumë se 8 muaj “arresti me burg”, vazhdimi i qëndrimit në këtë masë nuk është gjë tjetër, veçse një përndjekje inkuizitore që nuk ka asnjë nuancë apo lidhje me shtetin e së drejtës. Për çdo akuzë të ngritur ndaj tij, Meta ka bërë edhe arsyetimin e plotë, duke dalë gjithmonë në një përfundim: lirimin e tij nga qelia. Po ashtu, në mbrojtjen e plotë të Metës, zbulohet edhe "arsyeja" e divorcit me tashmë ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin. Meta thotë se lajmin e kartës që Kryemadhi kishte marrë nga Adrian Shatku, e ka zbuluar pas kontrolleve të SPAK. Madje shton se kur e ka marrë vesh ka kërkuar edhe divorcin ligjor, duke e konsideruar këtë "detaj të mbajtur të fshehtë", si një shkelje të rëndë të besimit. 

"Referenca për ndarjet e përqindjeve në celularin e Znj. Kryemadhi që pretendon SPAK-u, i takon Znj. Kryemadhi ta sqarojë. Akoma më tendencioze është përpjekja e prokurorëve për të paraqitur Z. Meta si bashkëpërfitues apo në dijeni të kartave të paligjshme që pretendon akuza, të cilat edhe vetë sipas saj janë vetëm në emër të Monika Kryemadhit, e cila sipas SPAK, rezulton edhe përfituese e tyre. Zoti Meta jo vetëm që s’ka qenë në dijeni të kësaj marrëdhënieje të paligjshme, por pasi ka mësuar se pas kontrollit në banesën e nënës së Znj. Kryemadhi, ekzistonte një kartë e tillë, por e papërdorur, sipas zonjës Kryemadhi, vendosi edhe divorcin ligjor me të duke e vlerësuar si shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikane me përvojë, por edhe në dëm të kauzave të tij politike. Z. Meta vetëm në seancën e parë, pas arrestimit të tij, në Gjykatë u njoh me përdorimin e kësaj karte në San Marino nga akuza,"-pretendon mbrojtja e Metës. 

Megjithatë, pavarësisht pretendimeve, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur që ta lërë në qeli ish-presidentin. Edhe pasi doli nga salla e gjyqit, avokati i Metës, Kujtim Cakrani renditi edhe njëherë për gazetarët, arsyet se përse kreu i PL po mbahej padrejtësisht në burg.

“Parashtruam arsyet se përse zoti Meta nuk duhet të qëndrojë në kushtet e paraburgimit. Foli vetë edhe zoti Meta për rreth një orë, i cili hodhi dritë mbi pretendimet e organit të procedurës, qoftë për një kartë krediti që dispononte ish bashkëshortja e tij dhe disa veprime të tjera të lobimit që nuk pasqyrohen me emër dhe mbiemër se kush i ka firmosur. Pasi pati një debat me prokurorin Kllapi, në fund gjykata vendosi vijimin e masës së sigurimit. Ilir Meta është i bindur se është aty për arsye politike ka kaluar çdo limit nga organi i procedurës. U diskutua edhe një kartë e cila është përdorur nga ish gruaja e tij, Ilir Meta s’ka asnjë lloj dijenie se çfarë ka ndodhur me zonjën Kryemadhi,”-tha avokati i Metës.

Një reagim erdhi edhe nga Meta. Në rrjetet e tij sociale, ai paralajmëroi një "konferencë" me gazetarët përmes telefonit të zyrtarit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushit. 

"Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e "Rilindjes". Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik. Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentat e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi. Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live. Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë,"-shkruan Meta.

Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI

DOKUMENTI MË POSHTË ⇓

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB