
TIRANË- Ka përfunduar me tensione, përplasje dhe gjoba, seanca e sotme në GJKKO për Erion Alibejn. Seanca e radhës, ku pritej dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe të të pandehurve të tjerë të dosjes “Plumbi i artë”, u shoqërua me tensione të forta mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes. Sot, avokatët duhet t’i drejtonin pyetje të penduarit Erion Alibej. Avokatët nga ana e tyre kërkuan që t’ju vihen në dispozicion 6 deklarime të Alibejt, që ende nuk i zotërojnë.
Kërkesa u refuzua nga prokurorët, që pretenduan se deklarimet në fjalë nuk i përkasin kësaj çështjeje, por fakteve të tjera penale. Gjithë debati u shoqërua me tone të larta dhe pas përplasjeve verbale me prokurorin e çështjes, Behar Dibra, 4 nga avokatët e të pandehurve të tjerë zgjodhën që të braktisnin sallën. Në të njëjtën kohë, u larguan edhe të pandehurit që përfaqësonin në sallën e gjyqit.
Pas situatës së krijuar, trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndërpreu seancën dhe vendosi gjobë me nga 30 mijë lekë për 4 avokatët.
Seanca tjetër pritet të mbahet më 1 korrik.
Dosja “Plumbi i Artë” mbetet një nga proceset më të bujshme në luftën kundër krimit të organizuar, pasi përfshin emra të njohur të botës së krimit dhe rrëfime tronditëse të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kanë ndihmuar në zbardhjen e një sërë veprash të rënda penale./ZËRI