
TIRANË-I penduar i drejtësisë Nuredin Dumani ka vijuar edhe ditën e sotme (25 shkurt), dëshminë e tij në GJKKO në lidhje me organizatat kriminale dhe vrasjet me pagesë. Dumani ndër të tjera ka treguar edhe pseudonimet e përdorura në platformën 'Sky Ecc'.
Avokati: Sa pin-e ke pasur në SKY? Cilat ishin pseudonimet?
Dumani: Kam pasur disa pine. Pseudonimet kanë qenë: Covid19, Alcatraz, Toto Rina. Vetëm në Sky kam përdorur Covid19 dhe Toto Rina.
Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI