TIRANË- Pallati i Kongreseve në Tiranë, një nga hapësirat më të rëndësishme për organizimin e aktiviteteve kulturore, artistike, konferencave dhe eventeve zyrtare, këtë herë u kthye në një ambient për një ceremoni private.
Më 21 korrik ishte planifikuar të zhvillohej koncerti i këngëtarit të njohur italian, Zucchero Fornaciari, një event i shumëpritur nga publiku shqiptar. Salla e Pallatit të Kongreseve ishte rezervuar më herët dhe biletat ishin shitur, ndërsa shumë qytetarë kishin siguruar pjesëmarrjen e tyre në koncert.
Sipas dëshmive të pjesëmarrësve, hyrja kryesore e Pallatit të Kongreseve ishte e bllokuar, duke detyruar publikun të përdorte hyrje alternative në kushte të papërshtatshme. Korridore të ngushta, mungesë ndriçimi dhe mungesë orientimi bënë që një pjesë e qytetarëve të mos arrinin të hynin në sallë, duke humbur kështu një event për të cilin kishin paguar.
Por, çfarë ndodhi? Çfarë fshihej pas këtij ndryshimi?
Koncerti nuk u zhvillua, pasi ambientet e Pallatit të Kongreseve u përdorën për organizimin e një dasme private. Bëhet fjalë për ceremoninë e Kreshnik Morinajt, djalit të biznesmenit të njohur të EUROSIG, Kadri Morinaj.
Kështu, një hapësirë e menduar për skenën e një prej artistëve më të njohur italianë u shndërrua në një vend për një dasmë luksoze.
Ndër vite, në Pallatin e Kongreseve, janë zhvilluar koncerte, festivale, panaire, konferenca dhe ceremoni të ndryshme, duke shërbyer si një qendër funksionale. Por, këtë herë...Në vend të tingujve të muzikës së Zuccheros, salla u kthye në një hapësirë ahengu, për të pritur një nga dasmat më të mëdha dhe luksoze të zhvilluara në vend./ZËRI