Aktualitet

Punësimi në media në rënie pas vitit 2022, Tatimet "hapin letrat": Mbi 48 mijë të punësuar në një dekadë

Shifrat tregojnë se punësimi në këtë sektor ka ndjekur një trend rritës deri në vitin 2022, kur u regjistruan 5,242 të punësuar, niveli më i lartë i dekadës

zh.ll
Punësimi në media në rënie pas vitit 2022, Tatimet
foto ilustrim

TIRANË- Mbi 48 mijë persona kanë qenë të punësuar në sektorin mediatik në Shqipëri gjatë periudhës 2016–2025, sipas të dhënave të Administratës Tatimore, të administruara mbi bazën e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE Rev.2).

Shifrat tregojnë se punësimi në këtë sektor ka ndjekur një trend rritës deri në vitin 2022, kur u regjistruan 5,242 të punësuar, niveli më i lartë i dekadës. Krahasuar me vitin 2016, kur rezultonin 4,492 të punësuar, numri është rritur në mënyrë graduale për disa vite me radhë.

Megjithatë, pas vitit 2022 tendenca ka ndryshuar. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, numri i të punësuarve në sektorin mediatik ka ardhur në rënie, duke zbritur në 4,956 në vitin 2023, 4,741 në vitin 2024 dhe 4,472 në vitin 2025.

Administrata Tatimore thekson se nuk disponon të dhëna të veçanta për numrin e gazetarëve apo punonjësve të medias, pasi regjistrimi i subjekteve kryhet sipas kodeve të veprimtarive ekonomike të deklaruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Për rrjedhojë, statistikat janë hartuar mbi bazën e klasifikimit sipas Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike (NVE Rev.2) dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht numrin real të punonjësve të medias, pasi një subjekt mund të ushtrojë më shumë se një veprimtari ekonomike.

Këto  të dhëna janë bërë publike nga Administrata Tatimore në përgjigje të një kërkese për informcaion, të dhënë në zbatim të ligjit për të drejtën e informimit. 

Në kërkesën për informacion drejtuar Administratës Tatimore më 29 prill 2026 u kërkua: Sa është numri total i
personave të punësuar si gazetar dhe punonjës të mediave nga viti 2016 deri në vitin 2026 në Republikën e Shqipërisë.

Përgjigjja (14.05.2026): 

Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si më poshtë vijon: Kategoria e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ku kodi NACE Rev.2 deklarohet me vetëdeklarim
nga ana e subjektit. Sqarojmë se objekti i veprimtarisë së subjekteve të regjistruara pranë QKB -së nuk është  domosdoshmërisht i kufizuar në një aktivitet të vetëm, pasi në momentin e regjistrimit subjektet mund të deklarojnë
një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike.

Sa më sipër, në Nomenklaturën e Veprimtarive Ekonomike NVE Rev.2 nuk ka një përcaktim të tillë, tatimpagues të
regjistruar si punonjës të medias. Sqarojmë se Administrata Tatimore administron të dhëna lidhur me këta
tatimpagues vetëm sipas llojit të veprimtarive të parashikuara nga Nomenklatura e Kodeve Ekonomike NVE Rev.2 dhe jo sipas përcaktimit të cituar nga kërkuesi.

Përsa i përket numrit të të punësuarëve në fushën mediatike, e cila përfshin kategori të ndryshme si televizioni, media e shkruar, radio etj, gjeni informacionin si më poshtë:

Punësimi në media në rënie pas vitit 2022, Tatimet
lista

-2016 – 4,492
-2017 – 4,643
-2018 – 4,693
-2019 – 4,738
-2020 – 5,053
-2021 – 5,128
-2022 – 5,242
-2023 – 4,956
-2024 – 4,741
-2025 – 4,472

Në total, gjatë periudhës 2016–2025, në sektorin mediatik janë regjistruar 48,158 të punësuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB