
KORÇË-Një tjetër vatër e murtajës është konfirmuar në qarkun e Korçës. Autoritetet raportojnë se analizat kanë rezultuar pozitive për një nga fermat e fshatit Shkoze në bashkinë e Maliqit, ku 192 krerë do të asgjësohen. Fermeri që zotëron fermën e infektuar tregon se dëmi është kolosal, aq sa i ka ngelur vetëm vetëflijimi në rast se nuk ndihmohet nga shteti.
“Do groposen mbi 180. Dëm shumë i madh, nuk llogaritet. Duam pak ndihmë, ne me këto kemi bukën. Vetëm me këtë punë merremi. Në rrugë jam, në borxhe jam. Po nuk dhanë ndihmë, do hap gropën ngjitur për veten time”, shprehet fermeri Enkel Shkembasi.
Ndërkohë, ka shumë krerë të tjerë në afërsi të fermës, ku oër pasojë, janë rreth 5000 kafshë të rrezikuar. Autoritetet veterinare shprehen se situata është në kontroll edhe pse dëmi i përllogaritur është i madh.
Dy ditë më parë më 22 qershor, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në përditësimet e fundit raportoi se aktualisht janë konfirmuar 12 ferma pozitive në 10 vatra të ndryshme të infeksionit. Dy rastet e fundit janë 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lushnjë. Deri më tani janë prekur dhe asgjësuar 1200 krerë. Sëmundja, e cila prek dhen dhe dhi, është jashtëzakonisht ngjitëse për kafshët, por që sipas Ministrisë nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, por nuk ka dhënë detaje që lidhen me asgjësimin e saj./ZËRI