Aktualitet

Dosja “Metamorfoza 2”/ SPAK kërkon 69 vite burg për 6 të pandehurit

Për dosjen janë marrë të pandehur Dedan Gjoni, Ismail Zeneli, Bujar Gërmizi, Adrian Cenaj, Besmir Murtati dhe Albert Prenga.

k.m.
Dosja “Metamorfoza 2”/ SPAK kërkon 69 vite burg për 6
Foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për të akuzuarit e dosjes "Metamorfoza 2". Për dosjen janë marrë të pandehur Dedan Gjoni, Ismail Zeneli, Bujar Gërmizi, Adrian Cenaj, Besmir Murtati dhe Albert Prenga. Në total, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 69 vite burg për të 6 të pandehurit. Por në rast se shpallen fajtorë, të akuzuarit do të përfitojnë ulje të 1/3 së dënimit, kjo për shkak se përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar.

Pretenca e SPAK:

Ismail Zeneli: 15 vite burg / 10 vite me gjykim të shkurtuar
Dedan Gjoni: 13 vite burg / 8 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar
Besmir Murtati: 12 vite burg / 8 vite me gjykim të shkurtuar
Albert Prenga: 12 vite burg / 8 vite me gjykim të shkurtuar
Bujar Gërmizi: 10 vite burg / 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar
Adrian Cenaj: 7 vite burg / 4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Hetimet për dosjen u mbyllën në gusht të vitit që lamë pas. SPAK dërgoi për gjykim 11 persona, mes tyre edhe ish-funksionarët e Policisë së Shtetit, Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni. Të gjithë akuzohen se janë pjesë e një grupi kriminal me role dhe detyra specifike nga financimi dhe porositja, deri te transporti e shpërndarja e lëndëve narkotike. Droga vinte nga vendet e Amerikës Latine,e siguruar nga i ndjeri Ergys Dashi dhe më pas shpërndahej nëpër Europë nga Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit. Si porositës dhe financues të blerjes së drogës janë identifikuar Ismail Zeneli, Artan Sulejmani dhe Eralbi Breçani. Sipas SPAK, Erzen Breçani pastronte paratë e grupit.

Grupi shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare, në këtë rast Dedan Gjoni dhe Jonida Babameton, në mënyrë që disa prej anëtarëve të grupit t'i shpëtonin drejtësisë. Ky grup i strukturuar kriminal është i përfshirë dhe në disa tentativa vrasjeje. Ismail Zeneli në bashkëpunim me Bujar Ajetin, Adrian Cenajn dhe Dedan Gjonin kanë bashkëpunuar për të vrarë Edmond Nelën, Albert Nelën dhe Xhem Krasniqin. Po ashtu, rezulton se Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur vrasësin me pagesë, tashmë të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani që të kryente disa vrasje për llogari të personave të lartpërmendur. Madje Cenaj dhe Ajeti e kanë strehuar disa herë Dumanin në mënyrë që t'i shpëtonte Policisë. Por edhe pse është ende në kërkim, SPAK nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj Ervin Matës./ZËRI

Poll

MOS HUMB