
TIRANË-Në vitin 2021, kryeministri Edi Rama vizitoi kantierin e AMG Food dhe e reklamoi kompaninë si model të industrisë së re ushqimore shqiptare. Katër vjet më vonë, ajo futi në Shqipëri 7,9 tonë mish pule me salmonelë. Një vit më pas, në një kontejner të porositur nga kompania u gjetën 41 kilogramë kokainë.
Në korrik 2021, kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e atëhershme e AZHBR-së, Frida Krifca, vizituan magazinat e kompanisë AMG Food në Kashar. Kompania ishte krijuar në dhjetor 2019. Megjithatë, rreth 18 muaj më vonë, qeveria e paraqiste si një nga “modelet e suksesit” të bujqësisë dhe industrisë ushqimore shqiptare. Vizita nuk ishte thjesht ceremoniale. AMG Food kishte përfituar rreth 1 milion dollarë grant falas nga programi IPARD, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe buxheti shqiptar.
Sipas AZHBR-së, granti u dha për investim në ambiente për magazinimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve të mishit, dhoma frigoriferike dhe impiant për trajtimin e ujit të ndotur.
Zonja Krifca e quajti AMG Food “një nga projektet më të rëndësishme” të AZHBR-së në sektorin e mishit. Investimi, tha ajo, do të rriste sigurinë ushqimore, do të mbronte konsumatorin dhe do të krijonte produkte me standarde europiane.
Edhe kryeministri Rama foli me entuziazëm. Kompania, sipas tij, mund të bëhej motori i një zinxhiri të ri prodhimi, ndërsa qeveria mund ta ndihmonte të hynte në tregjet e Lindjes së Mesme.
Në fund të vizitës, kryeministri e përfshiu këtë impiant dhe dy fabrika të tjera të financuara nga programi IPARD mes “kampionëve” të ardhshëm të prodhimit shqiptar. Katër vjet më vonë, kompania u bë “kampione” për salmonelën.
Kontrolli që mbeti në letër
Në mars 2025, AMG Food importoi nga Brazili rreth 7,9 tonë fileto pule. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) mori mostra për analizë dhe njoftoi kompaninë që produkti të qëndronte në kontejnerët frigoriferikë deri në daljen e rezultatit.
Dhjetë ditë më vonë, analizat e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare konfirmuan praninë e salmonelës në mishin e importuar. Por ndërkohë AMG Food e kishte hedhur mishin në treg. Vetë kompania deklaroi se u kishte vënë në dispozicion autoriteteve 154 fatura të shitjes së produktit të kontaminuar, për të mundësuar gjurmimin dhe tërheqjen e tij.
Sipas AKU-së, rreth 4,5 tonë u tërhoqën nga tregu, ndërsa afro 3,5 tonë të tjerë ishin shpërndarë në dhjetë qarqe të vendit dhe ende po kërkoheshin. Një nga pronarët e kompanisë pranoi për median ZËRI se një pjesë e mallit ishte shitur te konsumatorët.
“Kam shitur nga malli që ka ardhur i importuar, por nuk kam dijeni se sa. Tani jam nën presion”, deklaroi ai.
Prokuroria nisi hetime ndaj vëllezërve Arben dhe Mondi Goxha, dy bashkëpronarëve të kompanisë, dhe tre inspektorëve të AKU-së. Inspektorët dyshoheshin për shpërdorim detyre, pasi kishin lejuar që produkti të hynte në treg megjithëse duhej të qëndronte i bllokuar deri në përfundimin e analizave.
Një dështim total institucional kishte vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Ngarkesa e importuar ishte në port. Institucionet kishin marrë mostrat. Kompania ishte njoftuar të priste rezultatin. Megjithatë, produkti u lejua të largohej nga porti dhe të shpërndahej te 154 klientë në dhjetë qarqe të vendit.
Analizat e mostrave zgjatën nga 4-5 ditë që duhej të ishte maksimumi (ekzistojnë teste më të shpejta) në 10 ditë. Pastaj kaluan edhe 7 ditë të tjera përpara se AKU të paralajmëronte publikun.
Ndërkohë që AKU fillimisht e mbajti të fshehtë kompaninë që kishte importuar mishin dhe atë që bënte shpërndarjen e tij. Praktikisht, konsumatorët u lajmëruan pasi për një pjesë të mishit nuk u gjet më se ku kishte përfunduar apo nëse ishte konsumuar.
Në vitin 2021, shteti e trajtonte kompaninë si histori suksesi. Në vitin 2025, dy pronarët e kompanisë dhe tre inspektorë shtetërorë po hetoheshin se kishin lejuar produktin e saj të rrezikshëm të hynte në treg.
Nga salmonela te kokaina
Një vit më vonë, më 14 shtator 2026, policia zbuloi mbi 41 kilogramë kokainë në kapakët e jashtëm të një kontejneri me mish pule nga Brazili, të porositur sërish nga kompania AMG Food.
Vlera e drogës së kapur u vlerësua në rreth 2 milionë euro. Sipas njoftimit të policisë, ka filluar hetimi për të zbuluar origjinën, destinacionin dhe personat e përfshirë. Deri tani nuk ka prova publike se drejtuesit e kompanisë kishin dijeni për kokainën.
Por fakti është se bëhet fjalë për një kompani që një vit më parë ishte përfshirë në një shkelje serioze të sigurisë ushqimore. Pas atij rasti, importet e saj duhej t’i nënshtroheshin një mbikëqyrjeje më të kujdesshme, të paktën për respektimin e standardeve ushqimore dhe të dokumentacionit. Nuk dihet nëse kjo masë e domosdoshme është vënë në veprim.
Kështu vepron një shtet i kapur
Bizneset kanë të drejtë të marrin grante. Qeveritë kanë të drejtë të promovojnë investimet. Një kompani e re nuk duhet përjashtuar nga financimi vetëm për shkak të kohëzgjatjes së kufizuar.
Problemi nis kur mbështetja financiare dhe politike bën që institucionet e mbikëqyrjes dhe zbatimit të ligjit të fillojnë të tolerojnë kompanitë e preferuara të politikës.
Në rastin e AMG Food, shteti financoi një pjesë të konsiderueshme të investimit, e lartësoi kompaninë publikisht si model suksesi dhe premtoi ta ndihmonte të hynte në tregjet e huaja. Në këtë mënyrë, qeveria i dha besueshmëri jo vetëm kompanisë, por edhe produkteve të saj në sytë e konsumatorëve.
Kur erdhi prova reale e sistemit, mbikëqyrja dhe zbatimi i ligjit dështuan.
Mishi që duhej të qëndronte i bllokuar deri në daljen e analizave përfundoi në treg. Paralajmërimi për konsumatorët erdhi pasi produkti ishte shpërndarë.
Dy pronarët dhe tre inspektorë u vendosën nën hetim, por publiku ende nuk di si përfundoi çështja dhe çfarë përgjegjësish u përcaktuan.
Kompania vazhdoi aktivitetin.
Një vit më vonë, në një kontejner të porositur prej saj u gjet kokainë.
Ky varg ngjarjesh tregon një model të njohur të qeverisjes shqiptare: afërsi dhe promovim në nivelet më të larta, të shoqëruara nga kontroll i dobët dhe mungesë transparence kur shfaqen problemet.
Pikërisht në një mjedis të tillë krimi i organizuar e ka më të lehtë të depërtojë në ekonominë e ligjshme.
Ai përdor importe të zakonshme, kompani reale, dokumente doganore, magazina dhe rrjete shpërndarjeje.
Krimi nuk ka nevojë ta zëvendësojë shtetin. I mjafton që disa hallka të tij të mos funksionojnë, të mbyllin sytë ose të shmangin përgjegjësinë.
Prandaj kjo nuk është vetëm historia e një kompanie.
Është historia e një mënyre qeverisjeje që zgjedh “kampionët” e saj, i financon dhe i promovon, por nuk ndërton institucione po aq të forta për t’i mbikëqyrur dhe detyruar të zbatojnë ligjin.
Është historia e një sistemi ku siguria ushqimore premtohet gjatë vizitave zyrtare, ndërsa produkti i kontaminuar del nga porti dhe shpërndahet pa asnjë pengesë.
Dhe është historia e një ekonomie ku, pa institucione të pavarura dhe kontrolle funksionale, kufiri mes biznesit të ligjshëm, privilegjit politik dhe interesit kriminal bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Në vitin 2021, kryeministri Rama dhe drejtoresha Krifca panë te AMG Food një model të së ardhmes europiane të Shqipërisë.
Pesë vjet më vonë, AMG Food simbolizon një model tjetër: atë të një shteti që di të zgjedhë dhe të promovojë “kampionët” e vet, por nuk është në gjendje—ose nuk ka vullnetin—t’i kontrollojë ata./Exit.al

