Aktualitet

Mister vrasja e palestinezes! Autori qëndroi një natë me 24-vjeçaren pasi e vrau, dyshja hyri me dokumente false

Mbetet i paqartë raporti mes të dyve, pasi po hetohet nëse Rayyan Alwan dhe Fadi Alwan ishin çift apo babë e bijë

F.I
Mister vrasja e palestinezes! Autori qëndroi një natë me
Fadi Alwan dhe Rayyan Alwan

TIRANË-Kush e vrau palestinezen në Tiranë? Kjo është pyetja e cila ende nuk ka marrë një përgjigje, prej 27 shkurtit, ku Rayyan Alwan 24-vjeç palestineze u gjet e vrarë me thikë në banesën e marrë me qira. Trupi i pajetë i 24-vjeçares vijon të jetë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë dhe pas përfundimit të autopsisë është gati për t’u varrosur, por asnjë familjar nuk është gjetur apo interesuar deri tani për tërheqjen e tij. Hetimet për vrasjen e 24-vjeçares kanë marrë një drejtim të papritur.

Krim pasioni apo vrasje në familje?

Mbetet i paqartë raporti mes të dyve, pasi po hetohet nëse Rayyan Alwan dhe Fadi Alwan ishin çift apo babë e bijë. Pas kërkesës së Shqipërisë për të informuar prindërit e të ndjerës, autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se kanë dyshime se Fati Alwan, një burrë 49-vjeçar, mund të jetë babai i Rayyan, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.  Gazetari Esido Barkaj tha se autori e ka sjellën viktimën qëllimisht në Shqipëri për të kryer krimin. Ai theksoi se trupi i pajetë është gjetur përmbys në një krevat 5 ditë më pas. Sipas gazetarit dyshohet se autori mund të ketë qëndruar një natë me viktimën, pasi është munduar të fshijë çdo gjurmë.

"Autori i dyshuar, sapo ka kryer krimin, ka fshirë çdo gjurmë. Policia ka gjetur në banesë vetëm 10 monedha. E kanë pasur të pamundur identifikimin e tyre për shkak se ishin edhe shtetas të huaj. Vetë pronarja e banesës nuk kishte marrë një mjet identifikimi. Përmes kamerave të sigurisë, jo vetëm të zonës, por edhe nga kamerat në aeroport më datë 19 shkurt, kur ata kanë mbërritur në vendin tonë, policia ka bërë të mundur identifikimin e çiftit. Pista hetimore ka të bëjë ose me një krim pasioni, ose me një krim për shkak të marrëdhënieve familjare, kjo sepse ka dyshime se çifti, ose nëse janë baba e bijë, kanë ardhur në Shqipëri kastile për të kryer krimin. Ata kanë disa vite që jetojnë në Gjermani. Sapo kanë mbërritur në Rinas, ata kanë shkuar në banesën e marrë me qira. Më datë 22, 49-vjeçari u largua drejt Greqisë. Dyshohet se trupi i pajetë është gjetur më 27 shkurt, pra 5 ditë më pas. Trupi është gjetur përmbys në një krevat, me plagë në bark. Krimi mund të ketë ndodhur edhe më datë 21, dhe një natë autori ka qëndruar me viktimën. Nga Athina ai ka ikur në Holandë dhe më pas dyshohet se ka ikur në Gjermani. Ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij”, tha Esido Barkaj.

Dyshja hyri në Shqipëri me dokumente false dhe emra të rremë?

Grupi hetimor nuk është i bindur nëse emrat me të cilët ata janë prezantuar në Shqipëri janë të tyre të vërtetë. Dyshja rezultojnë të kenë aplikuar për azil në Gjermani jo shumë kohë më parëRayyan Alwan dhe Fadi Alwan mbërritën si turistë në Rinas më 19 shkurt. Dyshja në Rinas u prezantuan me dokumente greke. A2 CNN mëson se hetuesit kanë ngritur tashmë hije dyshimi se pikërisht këto dokumente mund të jenë të falsifikuara dhe identitetet e tyre nuk janë të saktë. Po atë ditë dyshja kishin marrë banesën me qira ku edhe ndodhi krimi dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur më 22 shkurt.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes, Fadi Alwan është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit. 49-vjeçari palestinez, dyshohet se fillimisht e ka dhunuar dhe më pas e ka vrarë me thikë, duke e mbuluar me një çarçaf. Dyshohet se ai ka marrë të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares dhe është larguar në drejtim të Greqisë e më pas në Holandë. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e policive europiane për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB