
TIRANË-Është publikuar momenti kur Ryyan Alwan, e cila u gjet e vrarë me thikë në banesën e marrë me qira pranë bllokut të ambasadave dhe partneri i saj, Fadi Alwan mbërrijnë në Rinas më 19 shkurt. Po atë ditë dyshja kishin marrë banesën me qira ku edhe ndodhi krimi dhe dyshohet se vrasja ka ndodhur më 22 shkurt.
Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes, Fadi Alwan është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit. 49-vjeçari palestinez 25 vite më i madh se bashkëshortja e tij, dyshohet se fillimisht e ka dhunuar dhe më pas e ka vrarë me thikë, duke e mbuluar me një çarçaf. Dyshohet se ai ka marrë të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares dhe është larguar në drejtim të Greqisë.
Krimi u zbulua një ditë më parë(27 shkurt), ku Ryyan Alwan u gjet e vrarë me thikë në banesën e marrë me qira pranë bllokut të ambasadave. Bashkëshorti i saj nuk është gjetur në banesë, ndërsa Polica është vënë në kërkim të tij. Nga kontrolli që Policia ka bërë në banesë, nuk ka gjetur asnjë veç rrobave të saj dhe një monedhe "10 cent", duke ngritur dyshimet se partneri i ka marrë gjithçka pasi e ka vrarë./ZËRI