Aktualitet

Drejtori i ‘Acromax’ kërkesë SPAK: Po hidhen miliona euro në rrjetet sociale që të ndikohet vota

Nini shprehet se mediat po sulmohen çdo ditë, ndërsa portale anonime përhapin informacione false.

F.I
Drejtori i ‘Acromax’ kërkesë SPAK: Po hidhen miliona euro
Aldor Nini

TIRANË- Teksa zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025 po afrojnë, masat për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor janë gati. Por një kërkesë e re është parashtruar nga drejtuesi i Acromax, Aldor Nini. Ky i fundit është paraqitur sot në Prokurorisë së Posaçme për të propozuar krijimin e një qendre për monitorimin e rrjeteve sociale gjatë zgjedhjeve.

Sipas tij po hidhen miliona euro që të ndikohet vota e qytetarëve. Para dyerve të SPAK, Nini shprehet se mediat po sulmohen çdo ditë, ndërsa portale anonime përhapin informacione false. Nini shpjegoi edhe propozimin e tij për ngritjen e këtij qendre, ku thekson se në momentin që identifikohen shkelje mund të reagohet menjëherë për t’i ndaluar. Në propozim, parashikohet që çdo person mund të raportojë pranë kësaj qendre për sulmet që i ndodhin dhe meren masa nga SPAK dhe grupet e posaçme kundrejt platforma si Meta, YouTube, TikTok etj.

Aldor Nini: Sot u paraqita në SPAK për të dorëzuar një propozim me masat që SPAK duhet të ndërmarrë lidhur me krimet për zgjedhjet. Lufta për votat nuk është tashmë vetëm në terren siç edhe SPAK ka ngritur grupin e posaçëm për ti hetuar, por është në rrjetet sociale. Ndoshta dhe SPAK vetë dhe shumë etnitete të tjera nuk e dinë se çfarë po ndodh. Mediat tona zyrtare po sulmohen ditë më ditë pa filluar zgjedhjet, entitete anonime që t’i ndalojnë, që të mos informojnë publikun lidhur me informacionet që duhen përzgjedhje. Kemi media anonime që përhapin lajme false në mënyre të paligjshme dhe platformat në këto raste nuk bëjnë asgjë. Kemi kandidatë që po kandidojnë për votat e populli tonë që u mbyllen profilet e Instagrami, Facebook dhe gjithë platformave të tjera me sulme që iniciohen nga kundërshtaret e tyre ose grupe interesash të ndryshëm. Ekzistojnë mundësi monitorimi për të identifikuar këto shkelje, po identifikimi nuk funksionin dot metodat që ka vepruar SPAK e Prokuroria deri tani. Ato metoda që ne i përdorim në një fushë tjetër, ia kemi propozuar SPAK se si në mënyrë të menjëhershme mund të identifikojnë shkelje e të tilla, mund t’i ndalojnë dhe me këtë sistem që i kemi propozuar, të krijojmë një klimë që këto lloj shkelje mund të evitohen në mënyre të shpejtë. Kjo përfshin ngritjen e një qendre digjitale, çdo person,ose gazetar mund të raportojë sulmet që i ndodh atij dhe të merren në mënyrë të menjëhershme masa nga SPAK dhe grupet e posaçme kundrejt platforma si Meta, YouTube, TikTok etj.

Ndërkohë një ditë më parë u nënshkrua marrëveshja për Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit midis Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Marrëveshja synon garantimin e integritetit të procesit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2025 dhe parashikon masa të koordinuara për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet. 

Bashkëpunimi do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të vazhdueshëm mes institucioneve, për të siguruar një proces të lirë, të drejtë dhe të ndershëm, në përputhje me parimet demokratike dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Prej ditësh, subjektet politike janë regjistruar në KQZ, ndërsa më 12 mars është afati i fundit për dërgimin e listave shumëemërore të deputetëve. Pas përfundimit të procedurave, në fillim të muajit prill do të hapet zyrtarisht edhe fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB