
SHKODËR-Ende asnjë gjurmë nga autori i vrasjes së ndodhur një ditë më parë (27 shkurt), në fshatin Guci e Re, Shkodër. Policia ka shoqëruar deri më tani rreth 20 persona në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka.
Policia dyshon se në atë zonë pa kamera sigurie, autori ka ardhur në këmbë dhe është larguar po në këmbë mes arave ndërsa ka pasur shumë mundësi për t’u larguar pa lënë gjurmë. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.
Pavlin Preka u qëllua me 6 plumba në oborrin e banesës së tij, ku jetonte i vetëm. Ai është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në pjesën e gjoksit dhe se uniformat blu kanë gjetur vetëm një gëzhojë në oborrin e shtëpisë. Gëzohja është marrë dhe do të analizohet për të identifikuar armën e krimit. 20-vjeçari kishte 4 ditë që ishte kthyer në banesë, në fshatin Guci e Re, pasi 20-vjeçari jetonte mes Dukagjinit dhe Gucisë bashkë me babanë dhe të vëllain pasi merreshin me bagëti.
Trupi i pajetë i Prekës u gjet nga xhaxhai i tij. Ky i fundit kishte shkuar ta kontrollonte pasi nipi nuk i ishte përgjigjur në telefon. Komshinjtë kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar krisma çka çon në dyshimin se vrasja mund të jetë kryer me pistoletë me silenciator. Po ashtu kanë deklaruar se nuk e kanë parë autorin e paidentifikuar. Mbeten ende të paqarta rrethanat sesi ka ndodhur ngjarja./ZËRI