
KAKAVIJË-Sot prej orës 07:00 deri në orën 23:00, tre pika kufitare me Greqinë do të jenë të mbyllura, për shkak se doganierët grekë do të zhvillojnë grevë. Gjatë këtij afati kohor asnjë makinë nga territori shqiptar nuk do të lejohet të kalojë drejt territorit grek përmes tre pikave kufitare, Kakavijës në Gjirokastër, Qafë Botës në Sarandë dhe Tre urat në Përmet.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, mjetet e transportit të produkteve që prishen dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore.
"Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit është njoftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se më datë 28.02.2025, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në PKK Kakavijë, PKK Qafë Bot - Sarandë dhe PKK Tre Urat - Përmet do të zhvillojnë grevë, dhe për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve. Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat). Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë,"-njoftoi Policia shqiptare.
Tubimi po zhvillohet për aksidentin e rëndë hekurudhor, që ndodhi më 28 shkurt të vitit 2023, i cilësuar si aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e vendit. Ngjarja ndodhi kur një tren pasagjerësh që po udhëtonte nga Athina për në Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në afërsi të qytetit Tempi. Aksidenti shkaktoi vdekjen e të paktën 57 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Shumë nga viktimat ishin të rinj, përfshirë studentë që ktheheshin në universitet pas një pushimi festiv. Hetimet zbuluan se aksidenti ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe problemeve të thella në sistemin hekurudhor. Përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës, i cili pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave./ZËRI