TIRANË-Lorenzo Grassini dhe Roberto Berardi, dy nga senatorët e grupimit Forza Italia, por edhe politikanë të lartë në vendin fqinj, nuk janë lejuar që të vizitojnë në paraburgim kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Por ata nuk janë lejuar që ta takojnë kryebashkiakun. Për këtë arsye, me anë të një video, ata kanë shprehur keqardhjen që nuk janë lejuar të takojnë Veliajn.
“Jemi këtu në Durrës me senatorin Berardi për ti qëndruar pranë kryetarit të bashkisë Erion Veliaj si dhe për të parë kushtet e burgut. Për fat të keq nuk na lanë të hyjmë. Na pritën mirë por na thanë që lejohen takime vetëm me familjarët. Për fat të keq siç ka ndodhur edhe tek ne në Itali, paraburgimi është kthyer në një problem sepse shumë personazhe politike futen në paraburgim për akuza që nuk jemi të sigurtë që ekzistojnë. Forza italia është gjithmonë në favor të atij që quhet i pafajshëm deri në shkallën e fundit të gjyqësorit. Do shohim si do të shkojë” -thotë Lorenzo Grassini.
Dy senatorët krahasuan rastin me hetimet dhe gjykimin për skandalin e Tangentopoli, në fillim të viteve 1990 në Itali, i cili zbuloi një rrjet të gjerë ryshfetesh dhe financimesh të paligjshme midis bizneseve dhe partive politike.
"Ajo çfarë po ndodh sot është e ngjashme me atë që ndodhi në Itali në periudhën e Tangentopolit, shpresojmë që Shqipëria të mos kalojë një periudhë të tillë. Jemi kundër paraburgimit. Kjo ngjan me çështjen e Tangentopolit kur u abuzua me paraburgimin pa konsideruar efektet e njerëzive të pafajshëm por që plagët personave të arrestuar u mbeten. Po të bëhet drejtësi por drejtësi të drejtë. Deri kur të provohet jemi të gjithë të pafajshëm” tha Roberto Berardi.
Lorenzo Grassini është koordinator i Forza Italia për Ballkanin Perëndimor, ndërsa Roberto Berardi, senator i Legjislaturës 18, senator i Grosetos dhe komunitetit drejtues të Forza Italia.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI