
SHKODËR- Një vrasje ka ndodhur pasditen e sotme në Shkodër. Në rrethana të paqarta është vrarë 20-vjeçari Pavlin Preka. Ngjarja ka ndodhur në fshatin “Guci e Re” në Shkodër, rreth orës 14:50. Viktima, i cili jetonte i vetëm në banesë për shkak se prindërit i kishte të divorcuar, është gjetur i vdekur nga xhaxhai i tij. Ky i fundit kishte shkuar ta kontrollonte pasi nipi nuk i ishte përgjigjur në telefon.

I pyetur për mediat, xhaxhai Prekë Preka thotë se nuk e di arsyen se pse nipi i tij u vra, ndërsa shton se i riu nuk kishte probleme me askënd pasi punonte dhe jetonte vetëm me babanë dhe vëllanë e tij.
"Është djali vëllaut, e kam nip. Lajmin e kam marrë vesh para 20 minutash. E kanë vrarë, bile unë kam marrë fjalë e kanë therë te shtëpia në Guci. Asnjë problem nuk ka pasur… Jetonte me babën dhe vëllanë e vetë në Dukagjin shumicën e kohës. Në Dukagjin ka bagëti, punonte dhe tokat. Kanë ngrënë një kafshatë buke me forcim, është rritur vetëm me babanë. Shteti merr masat e veta,"-tha Prekë Preka.
Ky i fundit, pasi ka parë nipin në oborr, ka lajmëruar menjëherë uniformat blu të Shkodrës.
Fillimisht u raportua se i riu ishte vrarë me një thikë, por më pas, Policia bëri me dije në njoftimin zyrtar se kishte dyshime se vrasja është kryer me një armë zjarri. Burimet bëjnë me dije se ai është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë në pjesën e gjoksit dhe se uniformat blu kanë gjetur vetëm një gëzhojë në oborrin e shtëpisë. Gëzohja është marrë dhe do të analizohet për të identifikuar armën e krimit.
Momentalisht mbeten të paqarta rrethanat sesi ka ndodhur ngjarja, ndërkohë nuk dihet asgjë as për autorin apo autorët që kanë kryer vrasjen.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:50, në fshatin “Guci e Re”, është gjetur pa shenja jete shtetasi P. P., rreth 20 vjeç, dyshohet i vrarë me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër./ZËRI