TIRANË- Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula ka bërë të ditur ne një intervistë se ka bërë një kallëzim në Policinë e Elbasanit pasi ka marrë mesazhe dhe telefonata kërcënuese.
Sula ka bërë të ditur se dy ditë më parë është paraqitur në polici për të denoncuar kërcënimet që sipas tij, kanë ardhur përmes mesazheve dhe telefonatave. Ai ka theksuar se nuk ndihet i frikësuar dhe se do të vijojë ushtrimin e detyrës.
“Para dy ditësh kam shkuar në Policinë e Elbasanit, kam bërë denoncim, pikërisht sepse më vijnë mesazhe kërcënuese, më kanë marrë në telefon me kërcënime. Kam marrë dhe nuk kam frikë. Nuk kam frikë, se nuk i kam borxh njeriu”, tha Dashnor Sula.
Kryeinspektori ka paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë dhe se presionet nuk do të ndikojnë në punën e tij.
“Ju garantoj që nuk do të shpëtojë asnjë inspektor. Pavarësisht presioneve që kam, po them që kam pasur presione”, tha kryeinspektori.
Sula është ndalur edhe te rastet kur emri i tij mund të përdoret nga inspektorë apo drejtues të strukturave të inspektimit për të justifikuar vendime apo veprime të caktuara.
“Nuk ka më ‘për shefin’, të paktën për mua, këtu lart. Dhe po ju them që sfidën që unë kam, e kam me veten time”, tha Sula.
Sa i përket marrëdhënies me kryeministrin Edi Rama, Sula ka thënë se përplasjet e së shkuarës janë lënë pas. Ai është shprehur pozitivisht për emërimin e tij në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, duke e cilësuar këtë detyrë si një mundësi për të dëshmuar vlerat e tij profesionale dhe morale.
“Dua të jem 1000 herë faqebardhë para shqiptarëve, 100 herë me Edi Ramën, sepse ai burrë më riktheu dinjitetin”, përfundoi ai./ZËRI