Aktualitet

Një video nxori në dritë abuzimin e 12-vjeçares, arrestohen tezja dhe djali i hallës

Hetimi i policisë ka çuar në arrestimin e dy familjarëve të saj të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.

M.K.
Një video nxori në dritë abuzimin e 12-vjeçares,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Një video e dërguar gabimisht në një bisedë me shoqet ka nxjerrë në dritë një rast të rëndë abuzimi seksual ndaj një 12-vjeçareje në Tiranë. Hetimi i policisë ka çuar në arrestimin e dy familjarëve të saj të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.

Rasti u zbulua pasi e mitura dërgoi pa dashje një material me përmbajtje pornografike në një grup komunikimi. E shqetësuar se videoja mund të shpërndahej, ajo i kërkoi ndihmë psikologes së shkollës, duke bërë që informacioni të përcillej te familjarët dhe më pas te policia.

Pas sinjalizimit, vajza u shoqërua për t’u marrë në pyetje në praninë e prindërve dhe psikologes. Nga dëshmia e saj dhe verifikimet e kryera hetuesit dyshohet se kanë zbuluar materiale të tjera që kanë çuar në gjurmët e personave të dyshuar.

Në pranga ka përfunduar djali i hallës së 12-vjeçares, 29 vjeç ndërsa më pas është arrestuar edhe tezja e saj 32 vjeçare. Të dy po hetohen për veprat penale 'Marrëdhënie seksuale me të mitur', 'Incest' dhe 'Pornografi'.

Sipas të dhënave të deritanishme, abuzimet dyshohet se kanë ndodhur në periudha dhe vende të ndryshme. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse dy të arrestuarit kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me pajisjet elektronike të personave të arrestuar. Ekspertiza e telefonave dhe materialeve të sekuestruara pritet të ndihmojë në dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe në zbardhjen e çdo rrethane tjetër të mundshme.

Për shkak të moshës së viktimës, autoritetet kanë shmangur publikimin e të dhënave që mund të çojnë në identifikimin e saj.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit./ZËRI

Poll

MOS HUMB