Aktualitet

"Do të të vij çdo muaj në Hagë..." Rrëfimi prekës i Sevdije Krasniqit: Momenti i vendimit ishte shokues, kishim bërë plane me Jakupin

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, Sevdije Krasniqi tha se familjarët do të presin procesin e Apelit, ndërsa kërkoi lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

zh.ll
"Do të të vij çdo muaj në Hagë..."
jakup dhe sevdije krasniqi

KOSOVË- Bashkëshortja e Jakup Krasniqit, Sevdije Krasniqi, ka komentuar përjetimet gjatë para dhe gjatë vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së. Ajo ka rrëfyer për Top Channel, ajo tha se vendimin e kanë pritur në shtëpi dhe se kishin shpresuar që të gjithë të shpalleshin të pafajshëm, teksa e quan një 'vendim shokues'.

“Ne kishim shpresë se do të shpalleshin të gjithë të pafajshëm. Vendimin e kemi pritur në shtëpi. Momenti i vendimit ishte shokues, nuk e prisnim. Kush janë ata 4 persona që po dënohen? Ata janë krerët e UÇK-së. Historia nuk do të helmohet nga asnjë vendim. UÇK-ja ka luftuar për liri. Ky vendim as nuk ndikon dhe as nuk duhet të ndikojë në jetën e Kosovës”, tha ajo.

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, Sevdije Krasniqi tha se familjarët do të presin procesin e Apelit, ndërsa kërkoi lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne kërkojmë lirimin e tyre, do të presim Apelin. Besoj se tani do të bazohen në fakte. Tani dihet që ndërmarrja e përbashkët kriminale është udhëheqja e Serbisë bashkë me gjyqtarët e Gjykatës Speciale që dhanë këtë vendim”, u shpreh ajo.

Bashkëshortja e ish-kreut të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka rrëfyer edhe për marrëdhënien e tyre, historinë dhe mënyrën se si u njohën. Ajo tregoi se njohja e tyre nisi përmes një shoqeje, e cila i kishte folur për Krasniqin dhe e kishte nxitur që ta priste pas daljes së tij nga burgu.

“Ma propozoi një shoqe e ime dhe më tha: ‘Ia vlen ta presësh profesor Jakupin’. Unë e prita dhe, pasi doli, ne u bëmë bashkë. I kam thënë Jakupit që nuk të kam ardhur në burg atëherë, por në Hagë do të të vij çdo muaj…”, tregon ajo.

Mungesën e Jakupit, Sevdije e përshkruan si pjesën më të vështirë që i është dashur të përjetojë.

“E kam përjetuar shumë rëndë kur kemi pasur gëzime në shtëpi, që ai nuk ka mundur t’i përjetojë”, shprehet ajo, ndërsa rrëfen edhe planet që kishin për jetën pas Hagës.

“Ne e prisnim në shtëpi, kishim bërë plane. Madje, me Jakupin kishim thënë që do të iknim të dy të jetonim në një shtëpi në fshat”, shprehet Sevdije.

Sa i përket procesit dhe Gjykatës, ajo tregon se Jakupi kishte shprehur dyshime, kryesisht për mënyrën e arrestimi, pasi ata mund të vetëdorëzoheshin

“Duke parë si rrodhën gjërat, tha: ‘Nuk besoj shumë, sepse është gjykatë raciste’, nga mënyra si na kanë arrestuar, kur vetë ai ka mundur të dorëzohet. Pra, një arrestim si në kohën e ish-Jugosllavisë, madje edhe më rëndë”, tha ajo.

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, shpresat e Sevdije Krasniqit tashmë janë te procesi i Apelit. Ajo kërkon që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe mjetet ligjore për kundërshtimin e vendimit, ndërsa në fund tregon edhe mesazhin që i përcjellë Jakupit.

“Ne kërkojmë që të përdoren të gjitha mjetet ligjore për zhbërjen e kësaj gjykate. Ne po shpresojmë në Apel. Kjo gjykatë nuk duhet të ketë më të drejtë të merret me luftëtarët tanë. Ne kemi përballuar gjenocid...Unë Jakupit i them të qëndrojë i fortë, ashtu siç ai është”, tha ajo.

Gjykata në Hagë shpalli fajtor Jakup Krasniqin për disa nga akuzat për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Edhe Krasniqi njëjtë si Thaçi u dënua me 25 vjet burg. Gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues deklaroi se Krasniqi është fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm të 385 personave, trajtim mizor si krim lufte ndaj 49 personave, torturë si krim lufte ndaj 49 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.

Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI

Poll

MOS HUMB